Klubi i Vllaznisë së Shkodrës ka vendosur të dhurojë të gjitha të ardhurat nga biletat për ndeshjen e Abissnet Superiores përballë Tiranës, e cila do të zhvillohet në “Loro Boriçi” të dielën e 12 shkurtit.
Klasikja e futbollit shqiptar do të zhvillohet për javën e 21 të kampionatit, ku dy skuadrat luftojnë për objektivin maksimal, titullin kampion.
Mirëpo, përtej ngjarjes sportive, shkodranët janë solidarizuar me popullin turk dhe sirian, të cilët po vuajnë pasojat e dy termëteve me magnitutë 7.8 dhe 7.6 ballë, që kanë marrë mbi 24 mijë jetë njerëzish.
“Klubi futbollit Vllaznia, presidenti Alban Xhaferi, i bën thirrje gjithë tifozerisë së zjarrtë kuq e blu, që ta mbeshtëse ekipin e zemrës në klasiken e futbollit shqiptar që do të luhet te dielën në orën 16.00 në stadiumin ‘Loro Boriçi”, thuhet në njoftimin e klubit.
“Meqenëse tragjedia e tërmetit ne zonat ndërmjet Turqisë dhe Sirisë ka prekur thellë zemrat e gjithësecilit prej nesh, ka (klubi) vendosur që të gjithë të ardhurat që do të vijnë nga organizimi i ndeshjes me Tiranën do të shkojnë si kontribut për ndihma për tërmetin”.
“Lutjet tona shkojnë për të gjithë viktimat e kësaj fatkeqësie dhe shpresojmë në rikuperimin sa me të shpejtë të të dëmtuarve”.
“Eja dhe ti për të mbështetur skuadrën e zemrës dhe për të kontribuar sadopak në këtë tragjedi të jashtzakonshme njerëzore”, përfundon njoftimi i klubit kuq e blu.
Përsa i përketë biletave të ndeshjes, çmimet e tyre variojnë nga 200 lekë deri në 1 500 mijë lekë (VIP).
Kujtojmë që Qeveria shqiptare ka shpallur datën 13 shkurt si dite zie kombëtare “në shenjë dhimbjeje e lutjeje” për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian.