Sporti në Kinë është ndjekur nga vite të tëra akuzash për ryshfet, pretendime për trukime ndeshjesh dhe paraqitje zhgënjyese.
Kreu i shoqatës së futbollit të Kinës është nën hetim nga agjencia kundër korrupsionit e partisë komuniste në pushtet, në qëllimin më të fundit për ambiciet e presidentit, Xi Jinping për ta kthyer vendin në një fuqi të futbollit botëror.
Chen Xuyuan, president i Federatës Kineze të Futbollit, po hetohet nga Komisioni Qendror për “shkelje të rënda të disiplinës dhe ligjit”, sipas një deklarate të qeverisë të dhënë të martën.
Futbolli kinez ka qenë prej kohësh një objektiv i hetimeve për korrupsion. Ekipi kombëtar gjithashtu ka zhgënjyer vazhdimisht tifozët, me zhgënjimin e publikut në rritje pasi ekipi i meshkujve nuk arriti të kualifikohej në Kupën e Botës të Katarit 2022.
“Helmi mund të shërohet vetëm nëse gërvishtemi deri në kockë”, shkroi gazeta “People’s Daily” e partisë komuniste kineze, lidhur me hetimin ndaj Chen. “Futbolli kinez nuk mund të presë më”.
Xi, vetë një adhurues i sportit, është zotuar ta bëjë Kinën një fuqi botërore të futbollit, me ambicie për të pritur dhe fituar një Kupë Botërore përpara vitit 2050. Kina njoftoi plane ambicioze në vitin 2021 për të rritur numrin e fushave publike dhe për të diversifikuar investimet në këtë sport.
Por kombëtarja e meshkujve ka vazhduar të luftojë, duke u kualifikuar vetëm një herë në Kupën e Botës në 2002 dhe duke humbur të tre ndeshjet e saj. FIFA, organi qeverisës ndërkombëtar i futbollit, e rendit ekipin kinez të meshkujve në vendin e 80-të, pas Gjeorgjisë dhe Gabonit.
“Unë tashmë kam hequr dorë nga çdo shpresë dhe iluzion që kisha në futbollin kinez”, tha Bert Zhou, një sipërmarrës në Shenzhen dhe tifoz futbolli. “Ekipi kinez i futbollit është thjesht turpi i Kinës”.
Chen, i cili ishte gjithashtu është zëvendës-sekretar partie i shoqatës së futbollit, është zyrtari i katërt i lartë i futbollit që përballet me hetim në më pak se tre muaj, pas ish-lojtarit dhe trajnerit të ekipit kombëtar të meshkujve, Li Tie dhe Liu Yi, ish-sekretarit të përgjithshëm të AQF-së.
Në vitin 2013, dhjetëra zyrtarë dhe lojtarë të lartë u arrestuan për lojëra të fatit, ryshfet dhe trukim ndeshjesh dhe shumë prej tyre u burgosën, disa për jetë.
“Korrupsioni, si trukimi i ndeshjeve, mashtrimi dhe dopingu janë…një nga barrierat kryesore që pengon zhvillimin e shëndetshëm të ekipeve kineze të futbollit”, tha Zhu Jiangnan, një ekspert për korrupsionin kinez në Universitetin e Hong Kongut.
Por ai vuri në dukje se ekipet e tjera kombëtare, përfshirë Brazilin e renditur në krye, kishin pësuar gjithashtu “skandale mjaft serioze korrupsioni” dhe se arrestimi i Chen “tregon se kontrolli i korrupsionit në Kinë mbulon të gjitha fushat”.
Edhe ligat e të rinjve nuk janë imune ndaj polemikave. Autoritetet vitin e kaluar hetuan akuzat për trukim ndeshjesh kundër një ekipi nën-15 vjeç nga akademia e të rinjve të zhvilluesit të pronave në gjendje të vështirë ekonomike, Evergrande.
Një ngadalësim ekonomik në Kinë ka shtuar presionin mbi ekipet e futbollit, disa prej të cilave mbështeten nga zhvillues të pasur të goditur nga një rënie në sektorin e pronave.
Mungesa e fondeve dhe politika drakoniane e Xi-së kundër Covid-it, të cilën ai e braktisi në fund të vitit të kaluar, kanë nxitur gjithashtu një eksod të lojtarëve emigrantë.
Por media shtetërore i ka portretizuar hetimet si një pjesë të domosdoshme të pastrimit të lojës për të përmbushur një ditë qëllimet e larta të udhëheqjes së Kinës.
“Le të jetë kjo një mundësi për futbollin kinez që të kalojë valën e kësaj stuhie dhe të nisë rrugën e rigjallëzimit”, shkroi tabloidi nacionalist “Global Times” javën e kaluar në lidhje me hetimin ndaj Li, i cili u zbulua në nëntor.
“Financial Times” nuk ishte në gjendje të kontaktonte Chen për koment. AQF-ja nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Administrata e Përgjithshme e Sportit e Kinës, e cila mbikëqyr AQF-në, nuk pranoi të komentojë mbi hetimin.