Një përgjigje e ftohtë dhe e shkurtër.
“Me rëndësi është të sigurohemi se situata nuk do të përshkallëzohet dhe nuk do të dalë nga kontrolli”.
Ky është reagimi i Ambasadës kineze në SHBA, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, pas pretendimeve amerikane se Pekini ka furnizuar Moskën me armë për të zhvilluar agresionin në Ukrainë.
Mbi vetë pretendimin, nuk ka asnjë përgjigje nga Pekini zyrtar apo selia diplomatike në Washington.
Gjithçka rrotullohet rreth faktit se me rëndësi është të shuhet konflikti mes Kievit dhe Moskës.
Ishte një raport i fundit i inteligjencës amerikane, ai i cili ka nxjerrë në dritë fakte të reja mbi luftën që po zhvillohet mes Rusisë dhe Ukrainës, ku sipas burimeve zyrtare të medias Financial Times pranë Shtëpisë së Bardhë, Moska i ka kërkuar Pekinit ndihmë ushtarake që prej fillimit të luftës.
Pikërisht ky fakt, ka ngjallur frikë në Washington, pasi mendohet se kinezët mundet realisht t’ia japin Rusisë armët, në mënyrë direkte ose indirekte.
Një tjetër person pranë Qeverisë amerikane, ka thënë për Financial Times se SHBA-të po përgatiten po ashtu të paralajmërojnë aleatët mbi futjen e Kinës në lojë duke ndihmuar Rusinë. Gjë kjo, e cila do të shkaktonte trazira të mëdha si diplomatike, ashtu edhe ushtarake.
Në një raport paralel të inteligjencës, Rusia shfaqet e dobësuar në disa pajisje dhe municione. Pikërisht ky fakt e ka bërë Kremlinin t’i drejtohet aleatëve kinezë, të cilët nuk janë pozicionuar qartësisht kundër Moskës në këtë luftë.
Me fillimin e javës së tretë të luftimeve, parashikimet janë që zhvillimet të zgjaten, për shkak të rezistencën ukrainase parësisht – gjë e paparashikuar në mendësinë e Vladimir Putinit.
Ndërkaq, mbetet për t’u parë se cili do të jetë reagimi ndërkombëtar, tashmë që ky lajm është bërë publik në mediat më të mëdha botërore.