Një raport i fundit i inteligjencës amerikane, ka nxjerrë në dritë fakte të reja mbi njohuritë e Pekinit zyrtar për sa i përket planit rus për të mësyrë në Ukrainë dhe rrjedhimisht për ta pushtuar atë, duke vendosur në krye një Qeveri kukull.
Megjithatë, përpara lojërave olimpike dimërore, Kina i ka kërkuar Rusisë të mos e marrë një hap të tillë.
Sipas raportit, disa zyrtarë të lartë kinezë, kanë zhvilluar takime me disa zyrtarë të lartë rusë, në fillim të shkurtit. Në bisedë, ka dalë në dritë edhe plani i Moskës për të hyrë në Ukrainë përpara përfundimit të Lojërave Olimpike dimërore.
Sipas publikimit të fundit të medias amerikane “The New York Times”, administrata e Joe Biden, është mbështetur pikërisht në këto të dhëna, kur ka paralajmëruar se Kremlini ishte në lëvizje agresive ushtarake kundrejt Ukrainës dhe mund të merrte hapin e pakthyeshëm të pushtimit.
Mbi bazën e raportimit, zyrtarët kinezë gjithsesi, kishin dijeni mbi planet e Vladimir Putinit, por nuk thanë gjë mbi këtë. Kjo ka ndodhur rreth një javë përpara se Moska të ndërhynte ushtarakisht në Ukrainë.
Për agjencinë e lajmeve Reuters sakaq, një burim i sigurt, ka vërtetuar se Kina e kishte bërë realisht kërkesën që Rusia të mos ndërhynte, por nuk ka pasur detaje mbi ngjarjen.
Nga ana tjetër, për palën kineze, të gjitha këto janë spekulime.
Ato i ka hedhur poshtë vetë Ambasada e Kinës në New York, përmes një zëdhënësi për shyp. Mirëpo, me një ftesë të hapur ndaj Putinit, për të marrë pjesë në ceremoninë hapëse të lojërave dhe me një hije dyshimi ndërkombëtar, nuk është e sigurt nëse Kina ishte apo jo në dijeni të kësaj lëvizjeje ruse.