Sulme tmerruese me raketa e kanë zgjuar Kievin mëngjesin e 25 shkurtit, në bombardimet e para për kryeqytetin ukrainas, që prej vitit 1941, kur epiqendra e shtetit u sulmua nga nazistët gjermanë në fillimin e Luftës së Dytë Botërore.
Situata është pak të thuhet e rëndë. Rreziku iminent i sulmit në godina qeveritare dhe dëshira e Vladimir Putin për të rrëzuar qeverinë e Volodymyr Zelensky-t, nuk është as e fshehur tashmë.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka qenë ai, i cili ka folur ndër të parët për nisjen e mësymjes në fortesën e Kievit.
“Ukraina e mposhti të keqen naziste një herë dhe do ta thyejë edhe këtë të sotmen”, shkruan ai në Twitter.
Më tej, kryediplomati i Kievit i ka bërë thirrje Perëndimit që ta ndalojë Putinin në këtë përpjekje.
“Izolojeni Rusinë. Ndërpritini të gjitha lidhjet me ta. Përjashtojeni nga gjithçka”.
Tonet e ashpra të Kulebës, vijnë ekzaktësisht pak orë, pasi i gjithë blloku perëndimor ka marrë ndër masat më të ashpra sanksionuese ndaj një shteti në historinë botërore.
Bashkimi Evropian, Britania e Madhe, SHBA-të, aleatë të tjerë perëndimorë dhe madje edhe lindorë, kanë vendosur masa të ashpra ndaj Moskës, qofshin ekonomiko-financiare, qofshin sociale.
Nëse këto do t’i ndalojnë ruse gjithsesi, është çështje kohe për ta parë.