Një person u vra dhe një tjetër u plagos rëndë pas sulmeve të shumta që goditën qytetin verilindor të Ukrainës, Kharkiv të hënën. Ka qenë kjo deklarata e Oleh Syniehubov-it, kreu i administratës rajonale të Kharkiv.
Syniehubov tha se kishte 65 raste të bombardimeve kundër qytetit vetëm të hënën.
Ai tha se luftimet po vazhdonin në Izium, Balaklia dhe Dergachi, tre qytete në rajonin e Kharkiv.
Ndërkohë, 600 ndërtesa banimi në qytet ishin shkatërruar në sulmet ruse që nga fillimi i luftës, sipas kryetarit të Bashkisë së Kharkiv, Ihor Terekhov, duke shtuar se shtëpitë nuk mund të riparohen.
“Njerëzit në fakt humbën shtëpitë e tyre. 50 shkolla dhe një numër institucionesh mjekësore, përfshirë spitalet e lindjes, u bombarduan gjithashtu në Kharkiv”.
Diku tjetër, Volodymyr Matsokin, nënkryetari i Bashkisë së Izium-it, tha se qyteti i tij ka qenë “nën rrethim për dy javë, pa ujë, pa energji elektrike, ngrohje, ushqim, ilaçe, komunikim”.
“Situata nuk është më e mirë se sa në Mariupol. Kemi marrë informacione se ata që u mbijetuan granatimeve po vdesin nga sëmundjet dhe mungesa e ilaçeve. Nuk ka njeri që t’i varros të vdekurit”, tha ai, duke shtuar se qyteti ka nevojë urgjente për ndihmë humanitare.
Kjo është dita e 20-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.
Sipas OKB-së, mbi 2.7 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 11 mijë.
Ndërsa rreth 2 mijë e 500 civilë janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse – mes tyre edhe fëmijë.