Nuk pati rëndësi se partia Republikane i kishte votat e shumicës për ta zgjedhur atë.
Kevin McCarthy-t, iu deshën 15 raunde, për t’u zgjedhur më në fund si kreu i ri i Kongresit amerikan, mes debatesh të shumta të brendshme dhe një presioni të jashtëzakonshëm e negociatash të zgjatura në katër ditë.
Një prej “rebelëve” të republikanëve, Matt Gaetz, u nxit deri në pikën e fundit që ta votonte McCarthy-n dhe t’i jepte më në fund votat e nevojshme atij, për të arritur zgjedhjen, kur përballë ishte pala e unifikuar e demokratëve, të cilët në të 15-ë raundet, mbështetën kandidaturën e përbashkët të Hakeem Jeffries.
Pavarësisht kësaj, dhoma e ulët e përfaqësuesve në SHBA, mundet tanimë të funksionojë normalisht.
“Shpresoj që të gjithë të kenë të qartë një gjë”, shkroi McCarthy pas zgjedhjes së tij një median sociale Twitter. “Nuk do të dorëzohem kurrë. Mbi të gjitha, për ju, populli im amerikan”.
Krisja e brendshme e republikanëve ndërkohë është më se e qartë në një skenar të tillë, kur ata e arritën një farë përbashkimi vetëm pas 15 raundesh të votimit.
Edhe këtë, jo plotësisht.
Kevin McCarthy arriti të merrte vetëm 216 vota nga partia e tij, ku për mandatin duhet të falënderojë pjesëmarrjen jo të plotë të kongresmenëve në votim, të cilët e ulën pragun që ishte prej 218 votash. ,
Rivali i McCarthy-t, Hakeem Jeffries, e shkruan gjithsesi historinë, pasi ai do të jetë i pari afro-amerikan, i cili do të drejtojë një pakicë në Kongres, duke iu referuar palës demokrate në këtë mandat.
Në fjalimin e fitores ndërkaq, me nënqeshje, kryekongresmeni i ri e nisi me një batutë: Epo, kjo ishte e lehtë apo jo?
Kështu, ai iu drejtua ligjvënësve të tjera duke e etiketuar postin e ri të marrë si një nder e privilegj, si edhe një arritje, të cilën kurrë më parë nuk do ta kishte menduar në karrierën e tij.
Për t’u parë tashmë, mbetet se si do të jetë kohezioni i republikanëve në Kongres, për të rishikuar ligjet e presidentit Joe Biden, për të treguar qasjen ndaj faktorëve të ndryshëm si lufta në Ukrainë dhe inflacioni i lartë, apo edhe për të parë thjesht nëse rruga e bashkimit do të arrihet, deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për president.