Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Ukrainës bëri thirrje të mërkurën e 23 shkurtit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në të gjithë vendin, me përjashtim të rajoneve lindore të Donetsk-ut dhe Luhansk-ut të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia, ku një gjendje e jashtëzakonshme është vendosur që nga viti 2014.
Gjendja e jashtëzakonshme fillimisht do të zgjasë 30 ditë dhe do të rrisë kontrollet e dokumenteve dhe automjeteve, ndër masat e tjera. Rekomandimi i Këshillit kërkon miratimin parlamentar përpara se të hyjë në fuqi.
Kievi kërkon më shumë sanksione ndaj Rusisë
Më herët të mërkurën, Kievi u kërkoi vendeve perëndimore të vendosin më shumë sanksione ndaj Rusisë pas një raundi gjithëpërfshirës kufizimesh nga BE, SHBA dhe vende të tjera perëndimore që synojnë ekonominë dhe rrethin e brendshëm të presidentit rus, Vladimir Putin.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba shkroi në një postim në Twitter se më shumë sanksione ishin të nevojshme “për të ndaluar Putinin nga agresioni i mëtejshëm”.
Kuleba shtoi se “tani është e nevojshme të rritet presioni”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy nënshkroi gjithashtu një dekret për thirrjen e rezervistëve të moshës 18 deri në 60 vjeç të mërkurën, thanë forcat e armatosura të Ukrainës në një deklaratë.
Ukraina rekomandoi gjithashtu që shtetasit e saj të largoheshin nga Rusia.
Vendet perëndimore po përdorin sanksione në përgjigje të një fjalimi të mbajtur nga Putin të hënën, i cili deklaroi se Rusia kishte të drejtë të pushtonte Ukrainën si pjesë e “vazhdimësisë shpirtërore” të kombit, duke shkelur gjithashtu ligjin ndërkombëtar duke shpallur rajonet lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk “të pavarura”.
Me afro 200 mijë trupa ruse të grumbulluara në kufijtë e Ukrainës, vendet perëndimore janë gati të vendosin sanksione të mëtejshme nëse paralajmërimet e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe NATO-s për një pushtim të afërt rezultojnë të sakta.