Turqia ka përjetuar “katastrofën më të madhe” në shekullin e fundit pas tërmetit të Erzincanit të vitit 1939, tha presidenti Recep Tayyip Erdogan pas një lëkundje të fortë që goditi provincat jugore të hënën në mëngjes, duke marrë jetën e të paktën 912 njerëzve.
“Sonte në orën 04:17, ne u tronditëm nga fatkeqësia më e madhe që nga tërmeti i Erzincanit të vitit 1939, të cilit iu nënshtruam në shekullin e kaluar”, u shpreh Erdogan në një deklaratë nga kryeqyteti Ankara.
Tërmeti i parë me magnitudë 7.7 ballë goditi vendin në orën 4:17 të mëngjesit dhe ishte me qendër në rrethin Pazarcik, në provincën jugore të Kahramanmaras të Turqisë. Ndërkohë, rreth një orë më parë, në orën 13.24 me orën e Turqisë, dy tërmete me magnitudë 7.6 dhe 5.9 kanë goditur të njëjtin rajon.
Provincat Gaziantep, Sanliurfa, Diyarbakir, Adana, Adiyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis janë prekur rëndë nga tërmeti. “Deri më tani, 912 qytetarë kanë humbur jetën dhe 5,385 qytetarë janë lënduar”, tha Erdogan.
Presidenti turk vuri në dukje se numri i personave të shpëtuar nga rrënojat ka arritur në 2,470, dhe numri i ndërtesave që janë shembur është 2,818.
Aktualisht, tha Erdogan, gjithsej 9,000 personel janë duke kryer operacione kërkim-shpëtimi, duke shtuar: “Ky numër po rritet vazhdimisht me ata që arrijnë në rajon nga jashtë. Ne kemi filluar të kontaktohemi për ndihmë ndërkombëtare. Përveç ofertave të ndihmës nga NATO dhe BE, 45 vende kanë kontaktuar me ne.”