Janë 27 tashmë skuadrat e kualifikuara për në Botërorin e Katarit, edhe 5 vende bosh për të plotësuar kuadrin e kombëtareve pjesëmarrëse, me Italinë kampione Europe jashtë. Të fundit që kanë fituar biletën për në Katar janë Portugalia, Polonia, Gana, Maroku, Senegali, Tunizia dhe Kameruni. Mund të bëjnë surprizën e madhe Ishujt Solomon dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në Europë, 10 skuadra u kualifikuan si vende të para të grupeve të tyre: Gjermania, Danimarka, Franca, Belgjika, Kroacia, Spanja, Serbia, Anglia, Zvicra dhe Holanda. Portugalia dhe Polonia u kaulifikuan nëpërmjet “Play off”-it, ndërsa vendi i fundit europian do të përcaktohet nga sfida mes Uellsit dhe fituesit të Skoci-Ukrainë, e shtyrë për në qershor për shkak të luftës.
Në Amerikën e Jugut, skuadrat e kualifikuara janë Brazili, Argjentina, Ekuadori dhe Uruguaji. Vendi i 5-të, që mbahet nga Peruja, duhet të ndeshet në qershor me një skuadër aziatike në “Play Off”.
Katari merr pjesë në Botëror si vend organizator, ndërsa skuadrat e tjera të kualifikuara janë Koreja e Jugut, Irani, Japonia dhe Arabia Saudite. Rregullorja parashikon një ndeshje shtesë mes dy vendeve të treta të dy grupeve, pra mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Australisë. Kjo ndeshje luhet më 7 qershor, por nuk përfundon këtu, sepse fituesi më pas duhet të luajë me Perunë sërish në “Play off”. Një malore e fortë.
Në Amerikën qendrore dhe veriore kanë mbetur edhe dy ndeshje, por Kanadaja është kualifikuar, kurse SHBA-të, Meksika dhe Kosta Rika luajnë për 2 vendet e tjera. Vendi i katërt shkon në “Play off”.
Kualifikueset e Konfederatës së vogël të Oqeanisë nuk kanë dhënë ende asnjë verdikt, gjithçka kalon nga finalja e “Play off”-it, ku do të ndeshen Ishujt Solomon dhe Zelanda e Re. Fituesi më pas ndeshet me vendin e 4-t të Amerikës qendrore.
Në Afrikë ka pasur shumë probleme në ndeshjet e fundit, me Mohamed Salah që u ‘verbua” nga lazerat kur po gjuante penalltinë, ndërsa tifozët e Nigerisë pushtuan fushën, pasi skuadra e tyre nuk ia doli të kualifikohej. Pas Ganës, Senegalit, Marokut dhe Tunizisë, është kualifikuar edhe Kameruni.
Shorti për Botërorin e Katarit do të hidhet më 1 prill në Doha, me skuadrat të ndara në 4 vazo sipas renditjes së FIFA-s. Në momentin e hedhjes së shortit, do të jenë edhe tre slote ende për t’u plotësuar, ato të ndeshjeve shtesë dhe ai i “Play off”-it të shtyrë nga UEFA për shkak të luftës në Ukrainë.