Bëhen 20 skuadrat e kualifikuara për në Botërorin e Katarit. Tri të fundit janë Kanadaja nga Amerika veriore dhe qendrore, si dhe Uruguai dhe Ekuadori nga Amerika e Jugut.
Një humbje historike mund të quhet ajo e Kanadasë, që pavarësisht se u mund nga Kosta Rika, ka fituar të drejtën për të shkuar në Botërorin e Katarit. Një sukses që vjen pas plot 36 vitesh. Hera e fundit që Kanadaja merrte pjesë në këtë kompeticion i përket vitit 1986, në Meksikë.
Goli i Celso Borges në fundin e pjesës së parë nuk e prishi festën e kanadezëve, që kanë marrë ‘biletën’ e Botërorit, falë barazimit të Panamasë me Hondurasin. Meksikë-SHBA përfundoi 0-0 dhe dy ndeshje para fundit situata është e hapur: Meksika, SHBA-të, Kosta Rika dhe Panamaja janë ende në garë për dy vende, ku dy të parat janë favorite. Vendi i 4-t do të luajë ndeshje shtesë kundër vendit të parë të Oqeanisë.
Në Amerikën e Jugut, goli i Giorgian De Arraskaeta ka lumturuar si Uruguain, ashtu edhe Ekuadorin, që u bashkohen Brazilit dhe Argjentinë në Katar. Një ndeshje para mbylljes së fazës në grupe, Amerika e Jugut ka 4 skuadra të kualifikuara për në Botëror.
Uruguai mundi Perunë me një gol të çmuar të shënuar në fund nga mesfushori i Flamengos dhe ky rezultat ka kualifikuar edhe Ekuadorin, që u mund 3-1 në Paraguai. Për skuadrën e Gustavo Alfaro është pjesëmarrja e katërt në Botëror, pas atyre të 2002, 2006 dhe 2014. Vendi i 5-të në Amerikën e Jugut, për momentin Peruja, do të diskutojë një ‘biletë’ Botërori në një ndeshje shtesë me vendin e 3-të të Azisë.
Kombëtaret e kualifikuara deri tani për në Botërorin e Katarit janë këto: Katari (si vend organizator), Gjermania, Danimarka, Brazili, Franca, Belgjika, Kroacia, Serbia, Spanja, Zvicra, Anglia, Holanda, Argjentina, Irani, Korea e Jugut, Japonia, Arabia Saudite, Uruguai, Ekuadori dhe Kanadaja. Janë 20 skuadra të kualifikuara nga 32 që do të marrin pjesë në total.