Presidenti i SHBA, Joe Biden teksa e quajti Presidentin rus Vladimir Putin një diktator, theksoi se ai është fajtori i vetëm për sulmet në Ukrainë dhe këtë do ta paguajë shtrenjt për një kohë të gjatë.
“Putin gjashtë ditë më parë duke sulmuar Ukrainën, u përpoq të tundte themelet e botës së lirë, por duket se i ka bërë llogaritë gaim. Ai diktator do ta paguajë shumë shtrenjt.”-tha Biden.
Biden e quajti popullin ukrainas një mur të fortë që Putin kurrë s’e kishte imagjinuar ndërsa komplimentoi Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky për guximin dhe vendosmërinë e tyre që po frymëzon botën.
Biden deklaroi se SHBA dhe NATO kanë qëndruar në krah të Ukrainës. Ndër të tjera, Biden tha se historia e ka treguar se kur diktatorët nuk paguajnë një çmim për agresionin e tyre, do shkaktojnë shumë kaos.
“Sulmi i Putin ndaj Ukrainës ishte i paramenduar dhe i paprovokuar. Putin e kishte gabim.”-tha Biden.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, deklaroi nga Kapitol Hill se regjimi i Putin mbështetet nga oligarkët rusë të korruptuar dhe që kanë vjedhur miliarda dollarë.
“Do të punojmë me aleatët europianë për të gjetur jahtet, avionët dhe të gjitha asetet luksoze.”-u shpreh Biden.
Sakaq, Joe Biden konfirmoi lajmin i cili qarkulloi më herët, se avionët rusë nuk do të lejohen në hapësirën ajrore amerikane. Sipas tij në këtë mënyrë Rusia izolohet dhe ekonomia e saj rëndohet akoma më shumë, përtej sanksioneve të vendosura më herët.
“Do bllokohen të gjitha fluturimet ruse, komerciale dhe private nga hapësira ajrore e SHBA. Kështu do të izolohet më shumë dhe do të dëmtohet më shumë ekonomia e Rusisë. Putin mund ta rrethojë Kievin me tanke, por ai kurrë më nuk do t’i fitojë zemrat e qytetarëve ukrainas.”-deklaroi Biden.