Mijëra izraelitë u mblodhën në qytete në të gjithë vendin të dielën mbrëma pas shkarkimit nga kryeministri Benjamin Netanyahu të ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant.
Kjo pason fjalimin e Gallant të shtunën mbrëma, ku ai kërkoi ndalimin e legjislacionit të reformës gjyqësore, për të cilën ai tha se po shkaktonte ndarje të rënda brenda shoqërisë izraelite dhe në sektorin e sigurisë të Izraelit.
Protestuesit në Tel Aviv u mblodhën jashtë Kiriya në rrugën Kaplan, ku bllokuan kryqëzimin dhe ndërprenë trafikun, megjithëse disa shoferë shprehën mbështetjen e tyre.
Protestuesit përfunduan duke demonstruar në autostradën Ayalon Jug dhe bllokuan Ayalon North në të dy drejtimet.
Mijëra protestues dogjën goma, vendosën barriera, gurë dhe hekura në rrugën në kryqëzimin Kaplan dhe autostradën 20, sipas një njoftimi të policisë.
Dhjetra zjarre u ndezën në mes të rrugës përgjatë autostradës Ayalon.
Po ashtu, Konsulli i Përgjithshëm i Izraelit në New York Asaf Zamir njoftoi në Twitter se po jep dorëheqjen, me sa duket për shkak të reformës.
Në një postim të shkurtër në Twitter, Zamiri thotë se “Unë u largova”.
“Unë nuk mund të vazhdoj të përfaqësoj më këtë qeveri. Besoj se është detyra ime të siguroj që Izraeli të mbetet një fener i demokracisë dhe lirisë në botë”.
Izraelitët protestuan kundër reformës gjyqësore në të gjithë Izraelin të shtunën për të 12 javën me radhë, duke vazhduar një cikël protestash që janë zhvilluar çdo javë që nga fillimi i janarit.
Në total, demonstrata u mbajtën në më shumë se 150 vende në të gjithë vendin duke përfshirë Ramle dhe Beit She’an ku u mbajtën protesta për herë të parë.
Izraeli po përballet me një situatë kaotike prej muajsh tashmë, ku nga një anë Qeveria kërkon reforma gjyqësore si edhe po ndjek një politikë shumë të ashpër në rajonin e “West Bank”, me ndërhyrje të shpeshta ushtarake dhe me bindjen se dhjetëra mijëra vendbanimet izraelite që po ndërtohen aty, janë rruga e duhur për t’u ndjekur.
Ndërkaq, nga ana e palestinezëve, në shenjë revolte, ka pasur sulme të shtuara kundrejt izraelitëve, ku nuk janë kursyer as institucionet fetare.