Italia nuk do të jetë pjesë e Kupës së Botës, Katar 2022 pasi u mund 1-0 në play-off nga Maqedonia e Veriut, falë një goli në minutat e fundit.
Aleksandar Trajkovski ishte heroi i maqedonasve. Sulmuesi i Al-Fayha mposhti Gianluigi Donnarumma-n me një super gol në minutën e 92 dhe i dhuroi kualifikimin për në finale vendit të tij. Përballë do të kenë Portugalinë.
Për të dytën herë radhazi, Italia që vinte si kampione e Euro 2020 nuk do të jetë pjesë e një Kupe Bote. Ata nuk mundën të kualifikoheshin edhe në Rusi 2018.
Në fushë për Maqedoninë e Veriut nuk kishte si të mungonin edhe lojtarët me orgjinë shqiptare. Visar Musliu, Enis Bardhi, Ezgjan Alioski dhe Arijan Ademi ishin në fushë nga minuta e parë.
Në sfidat e tjera, Portugalia dhe Uellsi u kualifikuan për në raundin final. Portugezët mundën 3-1 Turqinë. Ndërsa, Uellsi mundi 2-1 Austrinë.
Sfida mes Suedisë dhe Republikës Çeke shkoi në kohë shtesë, pas përfundimit me rrjeta të paprekura në 90 minutëshin e rregullt.
Kujtojmë që për shkak të luftës në Ukrainë janë shtyrë dy përballje. Vetë Ukraina do të duhej të luante me Skocinë.
Ndërsa, Rusia përballej me Poloninë. FIFA dhe UEFA e kanë përjashtuar Rusinë nga kompeticionet e saj dhe deri më tani Polonia ka prerë biletën për në raundin tjetër.
Sfidat finale për tre biletat e fundit nga Evropa për në Katar 2022:
Poloni – Suedi/ Çeki
Portugali – Maqedonia e Veriut
Skoci/ Ukrianë – Uells
Deri më tani është konfirmuar vetëm një sfidë finale, ajo mes Portugalisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ndeshja do të luhet më 29 mars, duke filluar nga ora 20:45.
Shorti që do të përcaktojë grupet e Kupës së Botës do të hidhet më 1 prill në Katar.