Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Irani apel Shqipërisë: Korrigjo gabimin me muxhahedinët. Janë terroristë!

Një ditë pas incidenteve mes policisë shqiptare dhe anëtarëve të organizatës MEK të vendosur në Manzë, Irani, i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të reflektojë për mikpritjen e tyre.

Nëpërmjet zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, Nasser Kanaani, ajatollahët i drejtohen Tiranës zyrtare të “korrigjojë gabimin” në mbështetjen dhe strehimin e opozitës iraniane, e cila prej dekadash lufton kundër regjimit. Irani, prej kohësh e ka konsideruar MEK-un, ose Mujahedin-e Khalq (MKO), si organizatë terroriste.

Në një seri postimesh të publikuara në Twitter, Kanaani përsëriti faktin se përveç Shqipërisë, asnjë vend tjetër në botë nuk ka pranuar të presë grupin terrorist, pasi u dëbua nga Iraku në shtator 2012.

“Për shkak të natyrës së tyre terroriste, [MKO] do të jetë gjithmonë një kërcënim për sigurinë e mikpritësve të tyre, prandaj qeveria irakiane i dëboi ata dhe qeveritë e tjera refuzuan t’i pranonin”, shkroi Kanaani në tweet-et e tij.

“Shpresojmë që qeveria shqiptare të korrigjojë gabimin e saj në pritjen e këtij kulti terrorist”, shtoi ai.

Lajmi bëhet i ditur nga agjencia shtetërore iraniane e lajmeve e “IRNA”, e cila, duke iu referuar mediave shqiptare, raporton se terroristët e MEK-ut kanë kryer sulme të armatosura kundër policëve shqiptarë kur ata po inspektonin një bazë të operuar nga grupi terrorist në Manzë, në perëndim të Shqipërisë.

“Të martën vonë, një zyrtar i sigurisë tha për ‘IRNA’-n se dy persona u vranë dhe 36 të tjerë u plagosën në përleshjet në kamp, i njohur si Ashraf-3, i cili ndodhet në veriperëndim të kryeqytetit Tiranë”, – shkruan zëdhënësi për shtyp i ministrisë së Jashtme iraniane, sipas agjencisë “IRNA”.

Në fakt, policia dhe Ministria e Brendshme shqiptare ka konfirmuar vetëm vdekjen e një banori, me dyshimin se pësoi një arrest kardiak.

Kanaani tha gjithashtu se autoritetet shqiptare njoftuan sekuestrimin e një numri pajisjesh elektronike dhe dronëve që anëtarët e MKO kishin përdorur për të gjurmuar dhe drejtuar aktivitetet e tyre terroriste.

“Ata thanë se me aktivitetet e tyre terroriste dhe kibernetike kanë shkelur marrëveshjen e vitit 2014 me Shqipërinë”, e cila lejoi grupin të banonte në vend, tha ai duke iu referuar një deklarate të autoriteteve shqiptare për përplasjet me anëtarët e MEK-ut.

Megjithatë, një ftesë e tillë, mbetet në kuadrin e një mesazhi që mund të bjerë në vesh të shurdhër, pasi Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin në shtator të vitit 2022.

Kjo, për shkak se qeveria shqiptare kishte prova të pakundërshtueshme se Irani financoi sulmin kibernetik ndaj shërbimeve online.

Në një situatë të pazakontë, ambasada iraniane u urdhërua nga autoritetet shqiptare të linte Tiranën brenda 48 orësh, duke shkaktuar edhe zemërimin e Teheranit.

LAJME TË TJERA >>