Legjenda braziliane Pele e adhuronte Shën Terezën, kishte lexuar diçka nga veprat e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare dhe shpresonte se futbolli shqiptar do t’i arrinte majat e futbollit evropian
Poeti, gazetari dhe përkthyesi shqiptaro-amerikan, Gjekë Marinaj, e kishte intervistuar tri herë fituesin e Kupës së Botës me Brazilin në prag të Botërorit 1994 në Shtetet e Bashkuara, ku Pele kishte shprehur adhurimin për Shën Terezën dhe shpresonte se futbollit shqiptar do të arrinte majat e futbollit evropian më rënien e komunizmit.
Pele vdiq të premten me 29 dhjetor në moshën 82-vjeçare pas një beteje me kancerin dhe për nder të karrierës së tij si njëri prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë, Gazeta Nacionale sjell tek ju ekskluzivisht intervistën e vetme të tij për një gazetar shqiptar.
Marinaj e botoi këtë intervistë e librin e tij “Ana Tjetër e Pasqyrës” dhe Gazeta Nacionale ka marrë të drejtën ekskluzive nga autori për ta botuar intervistën e plotë të tij me Pelen.
Gjekë Marinaj: Çfarë ndryshimesh emocionale shikoni tek vetja, nga koha kur ishit duke hyrë tek ëndrra e futbollit, duke e përjetuar atë, dhe tani që jeni në të dalë prej saj?
Pele: Ju e thatë në një mënyrë të re për mua. Po. Është e vërtet se unë e kam kërkuar disi me ngut gjendjen tek ëndrra futbollistike si dhe përjetimin e saj. Po kaq e vërtetë është se jam duke dalë prej saj. Ajo që akoma nuk më besohet është pikërisht largimi fizikisht nga fusha e futbollit. Në këtë aspekt do të dëshiroja që koha të më trajtonte më mirë. Kohës, asnjëherë nuk ia kam pëlqyer bërrylat e saj të mërzitshme, atë forcën shtytëse, atë plakjen graduale që të jep… Megjithatë, koha – kjo gjyqtare e drejtë pa flamuj e bilbile arbitrimi, më bindi se isha dhe mbetem një njeri i zakonshëm në shumë kuptime. Ajo po ashtu më bindi se, fare mirë, i duhej lëshuar vendi në fushë një ëndërrimtari të ri, ashtu siç ma patën lëshuar vendin edhe mua idhujt e mi të futbollit Brazilian.
Gj. M: Po të pyesësh njerëzit e zakonshëm, tifozët e tu, shumë prej tyre do të dëshironin të kishin të paktën një ditë jetë nga jeta tuaj. Si do e përshkruanit ju jetën e tuaj?
Pele: Kam kaluar një jetë të bukur, nisur nga ato që kam kërkuar prej saj. Eksperienca që kam pasur si futbollist është e papërsëritshme. Shpesh kam fjetur në divan me një top futbolli në vend të jastëkut, kur isha fëmijë, dhe jam zgjuar me lehtësinë shpirtërore më të madhe. Shpesh e kam ndier veten se jetoj në një univers të ndërtuar veçanërisht për mua. Por, nga ana tjetër, jeta ime e deritanishme i ka ngjarë edhe një orteku, i cili formohet nga zeroja me dëshirën për t’u rritur, duke shkatërruar shumë gjëra që i dalin përpara. E kam fjalën për ato gjëra të bukura që shijon një fëmije apo njeri i zakonshëm. Pra sakrifica që kam bërë, që të jem plotësisht në shërbim të formimit tim si futbollist, natyrisht, e ka bërë të vetën kur është fjala për qejfet personale, përveç atyre që të sjell jeta e sportit. Sot, gjendem i ndaluar, si orteku që thashë më lart, në fund të rrotullimit ku gjatë shkrirjes do të dalin më dukshëm në pah ato që kam thyer dhe marrë me vete gjatë jetës sime të deritanishme, e cila gjithmonë ka qenë në rrotullim e sipër.
Gj. M: Janë krejtësisht të besueshme ato që thoni. Them kështu duke pasur në mendje fillimet e jetës tuaj si lustrues këpucësh. Domethënë, ju keni kaluar nga njëri ekstrem te tjetri. Ky mendim më çon te një pyetje tjetër, të cilën nuk e kam në listën e pyetjeve që kisha përgatitur të bëja. Kur ktheni sytë nga fëmijëria çfarë sjellë imazhi i saj tej ju?
Pele: Në atë kohë ndoshta do të kisha kërkuar edhe më shumë prej fëmijërisë. Ngaqë fëmijët nuk ngopen kurrë me lodra, lojëra, vizita turistike etj. Por sot, sot nuk do të ndryshoja asgjë. Bukuria e fëmijërisë sime qëndron te surprizat dhe njohja e jetës së vërtetë. Jam shumë i lumtur që nuk jam rritur si “çun mamaje”.
Gj. M: Nëse dikush do ta meritonte epitetin “Pele i dytë” kujt do t’ia pagëzonit pa derte këtë epitet?
Pele: Çdo ndeshje futbolli që shikoj, e shikoj me sinqeritetin e një fëmije. Shpesh herë gjej futbollistë si Maradona e Bebeto, të cilët së bashku me topin lëvizin edhe çehren e fytyrës time, më tërheqin dhe më shtyjnë sa tek njëra portë tek tjetra duke më zhytur thellë në emocione. Nga ky këndvështrim shoh që futbolli është ai qiell në bukurinë e të cilit yjet janë art-plotë në botën e tyre individuale, pa qenë nevoja t’i krahasojmë me njëri-tjetrin. Që të dal direkt te pyetja juaj, për mendimin tim, nuk do të ketë kurrë një Pele të dytë; mund të jenë më të mirë apo më të dobët, por jo një “Pele” tjetër…
Gj. M: Kampionati Botëror i Futbollit ’94 do të fillojë garën në javën që vjen. Kush mendon se do e fitojë atë këtë herë?
Pele: Sikur ta dija do të ishte një gjë e mirë. Megjithatë ua kam frikën befasive. Skuadrat Evropiane gjithmonë bien gjëra sa të bukura aq edhe tronditëse (sidomos për ne tifozët braziliane) në takime të rëndësishme siç është Kupa Botërore e Futbollit. Po të ma bëje pyetjen se kush do të dëshiroja të fitonte, natyrisht, do të përgjigjesha që dëshiroj të fitojë Brazili. Porse kush do të fitojë… Megjithatë, shpresoj të shohim një ekip që do e meritojë vërtet Kupën e Artë nga të gjitha pikëpamjet. Më pëlqen shumë pastërtia në futboll.
Gj. M: Pothuajse të gjithë sportdashësit shqiptarë dinë diçka për ecurinë tuaj në jetën e sportit. Po ju, a dini diçka për Shqipërinë dhe shqiptarët?
Pele: Duhej të dija më shumë. Megjithatë, njoh Nënë Terezën, të cilën e admiroj shumë. Po ashtu kam lexuar diçka edhe nga Kadareja. Për sa i përket futbollit shqiptar, do të thosha se ka mundësi më të mira tani pas rënies së komunizmit. Nuk duhet harruar, ama, se niveli ekonomik i një vendi ka të bëjë direkt me nivelin e sportit të tyre. Shqipëria akoma nuk e ka marrë veten si duhet. Uroj që në një të ardhme të shkurtër edhe futbolli shqiptar të jetë i nivelit më të lartë evropian.