Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka relatuar konkluzionet përfundimtare për çështjen e inceneratorit të Fierit.
SPAK ka kërkuar 6 vite e 8 muaj për ish-ministrin Lefter Koka, 4 vite e 8 muaj për Alqi Bllakon, 2 vite e 8 muaj për Arben Dervishaj dhe 8 vite heqje lirie për Klodian Zoton. Kjo pasi të 4 të akuzuarit kryesorë për këtë aferë, kanë përfituar ulje të dënimit bashkë me 12 të tjerë.
Për pasuritë e vëna në sekuestro SPAK kërkon kinfiskimin e tyre. Prokurori Dritan Prençi lexoi pretencën, ndërsa Lefter Koka dhe Alqi Bllako nuk kanë qenë të pranishëm në seancë por janë përfaqësuar nga avokatët e tyre mbrojtës.
Pas kësaj seance i takon avokatëve mbrojtës të paraqesin mbrojtjen e tyre dhe më pas e ka fjalën gjykata.
Koka, Bllako, Abeshi, Muça, Shatëri, Murataj, Cenameri dhe Dervishaj, kanë dhe 5 vjet heqje të së drejtës për ushtrim funksionesh publike. Akuza është pushuar për Robert Shabanin, si dhe i veçuar mbetet Silvester Driza.
SPAK ka ashpërsuar akuzën e ngritur ndaj Alqi Bllakos, nga “korrupsion i funksionarëve publikë” në “korrupsion të zyrtarëve shtetërorë”.
Nga ana tjetër, i ka ndryshuar masa edhe Dervishajt nga “korrupsion në sektorin privat” në “korrupsion në sektorin publik”. E së fundmi Klodian Zotos i shtohet dhe një akuzë, “krijimi i skemave të mashtrimit”.
Ndërkohë 3 të pandehurit e tjerë, Etleva Kondi, Arenc Myrtezani dhe Guiseppe Cafaglione do vijojnë procesin me gjykim të zakonshëm.
SPAK thotë se për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit është vlerësuar në 60 milionë lekë.
Sipas SPAK, për inceneratorin e Fierit u krye korrupsion, u pastruan para dhe u mashtrua që nga shpronësimi i truallit ku do të ndërtohej inceneratori deri tek faturat fiktive për punimet. Megjithatë të gjithë të pandehurit kërkojnë pafajësi dhe pushim të çështjes, duke mohuar akuzat.
Dënimi i kërkuar nga SPAK, me 1/3 e uljes nga gjykimi i shkurtuar:
Lefter Koka 10 vjet (6.8 vite me gjykim të shkurtuar)
Alqi Bllako 7 vjet (4.8 vite me gjykim të shkurtuar)
Klodian Zoto 12 vjet (8 vite me gjykim të shkurtuar)
Pëllumb Abeshi 4 vjet (1.3)
Florian Muçaj 3 vjet (1 vit me gjykim të shkurtuar)
Azem Shatëri 3 vjet (1 vit)
Erjon Murataj 4 vjet (1 vit e 3 muaj me gjykim të shkurtuar)
Sabina Cenameri 4 vjet, (pezullohet dënimi për shkak se ka fëmijë të mitur)
Arben Dervishaj 4 vjet (1 vit e 3 muaj)
Loran Dusha 8 vjet
Arjola Kodra 3 vjet
Arbër Denizi 7 vjet
Juri Imeraj 7 vjet
Regan Merdani 4 vjet
Gentian Zifla 4 vjet