Klubi i Kukësit ka inaguruar stadiumin e ri, “Kukës Arena”. Të pranishëm kanë qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka.
Kryetari i Bashkisë së qytetit verilindor të Shqipërisë dhe Presidenti i Nderit i Klubit të Kukësit, Safet Gjici shprehu falenderimet dhe mirënjohjen e qytetarëve për projektin e realizuar.
“Jemi falenderues dhe mirënjohës si kuksian edhe Qeverisë dhe zotit Rama, por edhe federatës, për gjithë çfarë është bërë në këtë impaiant. Tashmë me të gjitha standardet”, tha Gjici.
“Ishte një fjalë e dhënë nga kryeministri para tre vitesh dhe sot vepër e realizuar konkretisht, siç është stadiumi ‘Kukës Arena’. Ta gëzojnë kuksianët”, vijoi kreu i Bashkisë Kukës.
Ministrja Kushi mori fjalën pas Gjici, duke uruar kuksianët për stadiumin e ri. Gjithashtu në fjalën e saj, Ministrja vlerësoi faktin se skuadra rikthehet të luajë në shtëpi në një impiant me standarde tashmë.
“Ekipi i futbollit të Kukësit, një ekip që i ka dhënë tone kampionatit shqiptar të futbollit, më fund vjen e luan në shtëpi të tij”, tha Kushi.
“Kur mora detyrën e re, ndër të parët persona që më kanë telefonuar ka qenë kryetari i bashkisë, Safet Gjici. Jo për të më uruar për detyrën e re, por për të më kujtuar premtimin që Qeveria dhe Kryeministri Edi Rama i kishte dhënë Kukësit”.
“Jemi shumë krenar sot për këtë premtim të mbajtur. Një premtim që do i japë një zhvillim ekonomik dhe social Kukësit”, vijoi Ministrja e Arsimit dhe Sportit.
Pas Kushit, fjalën e mori kreu i FSHF-së, Duka. Presidenti i qeverisë së futbollit shqiptar shprehu falenderimet për Kryeministrin dhe Ministren për mbështetjen e dhënë.
“Sot është një ditë historike për futbollin shqiptar në përgjithësi, sepse inagurojmë një vepër madhore”, theksoi Duka.
“Po të kemi shumë pak memorje, vetëm tetë vite më parë, Shqipëria vuante për një impiant për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare. Sot kemi plot katër. Falë një bashkëpunimi shumë të mirë të federatës me Qeverinë”.
“Unë do të doja të falenderoja sinqerisht Kryeministrin për mbështetjen dhe Ministren e arsimit për mbështetjen dhe fondet për ndërtimin e këtij stadiumi”, vijoi kreu i FSHF-së.
Ndërsa, Kryeministri Rama vuri theksin se “impiantet e reja, moderne, me të gjitha kushtet oprimale, e ndryshojnë edhe përmbajtjen e ndjekësve të ndeshjeve. Shikon vajza, shikon familje që janë së bashku me djem, me burrat që janë ndjekësit e zakosnhëm të futbollit dhe ndjen frymëmarrjen shumë më paqësore dhe sociale të stadiumit”.
“Puna për futbollin në Kukës, nuk po ndalet vetëm te stadiumi. Po bëhet fusha tjetër, fusha e stërvitjes. Njëkohësisht janë dhe dy fusha të tjera që po ndërtohen”.
“Ne si Qeveri me ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si dhe ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijet, në bashkëpunim të ngusht me Komitetin Olimpik Shqiptar, po nxisim dhe besoj së shpejti do të shikojmë frytet e para të një lëvizje sportive nëper shkolla”.
“Në fund dua ta mbyll me dëshirën, ambicjen dhe bindjen se siç kemi bërë këto katër stadiume do të vijojme të ndërtojmë”.
“Gjithsesi ky vit shënon një kulm do të thosha për aktivitetin sportiv në historinë e vendit tonë, pasi për herë të parë në histori ne do të presim një finale europiane në ‘Air Albania’. Diçka e paimagjinueshme deri para disa vitesh”, përfundoi fjalen e tij Kryeministri Rama.