Një çmim për të, një moment i veçantë për familjen. Mikael Shumaker është nderuar me Çmimin e Shtetit në Gjermani nga Nord Reno Westfalia.
Këtë çmim, në vend të ish-pilotit të Formula 1, e kanë marrë vajza Xhina dhe bashëkëshortja Korina, të cilat merrnin pjesë në ceremoninë e nderimit të organizuar nga kryeministri i NRW, Hendrik Wüst.
Mungoi djali Mik, piloti i Has F1. Duke qenë i angazhuar me garën e Francës në fundjavë, ai nuk mundi të shkonte në Motorworld të Këlnit.
Çmimi më i lartë i vlerësimit në këtë rajon i është dhënë Shumakerit “për rezultatet e jashtëzakonshme sportive ndërkombëtare” si dhe “për impenjimin e tij social ekzemplar dhe për shërbimet ndaj vendit të origjinës, Nord Reno-Westfalia”.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe ish-drejtuesi i Ferrarit dhe ish-presidenti i FIA-s, Zhan Todt. Me Mikael Shumaker ai ka punuar për shumë vite dhe është një mik i familjes.
“Mikael ka menduar gjithmonë për ata që nuk janë mirë, – ka thënë Todt. – Ka qenë aktiv gjithmonë me bujarinë e tij, me donacione të ndryshme”. Të pranishëm ishin edhe babai i Mikael Shumaker, Rolf, si dhe personalitete të shumta të politikës, shtypit dhe sportit.
“Do të donim që Mikael të tërhiqte këtë çmim vetë, na mungon shumë, – vazhdoi Todt. Shumaker ka bërë historinë e Formula 1 si askush tjetër. Ka ndezur entuziazmin e gjermanëve për këtë sport. Kerpen, Monca, Spa – janë emra që tingëllojnë edhe sot. E gjithë Gjermania e ka ndjekur Ferrarin me pasion”.