Sportistë në karantinë pa arsye, të tjerë të dyshuar dhe pastaj të rehabilituar (si australianët e kurling, që garuan pavarësisht nj pozitiviteti të lehtë), dhe të tjerë në lot për kushtet çnjerëzore të izolimit. Dhe pastaj i ftohti ekstrem, që ka futur në krizë skiatorët e garave të gjata dhe biathletët.
Ka zgjatur vetëm pak “muaji i mjaltit” në Lojërat Olimpike dimërore të Pekinit, që duhej të ishin “unike dhe të shkëlqyera”, por që tashmë po tregojnë problemet e para serizoe, pavarësisht organizimit të Kinës.
Delegacioni suedez ka kërkuar që të afrohen oraret e garave të skive, pasi Frida Karlson, e asistuar nga mjekët pas garës së skiathlonit, i kishte duart dhe këmbët të ngrira. “Nuk mbaj mend asgjë”, – deklaroi ajo pasi u ngroh dhe u ushqye.
Rregullat FIS thonë se nuk mund të garohet në temperatura më të ulëta se -20 gradë, të shtunën në “National Cross-Country Center” të Zhangjiakou, 130 milje larg Pekinit, termometri shënonte -13 gradë, por frynte edhe një erë e fortë dhe e ftohtë, që i bënte kushtet ekstreme.
Edhe Dorotea Uierer ka folur për vështirësi nga i ftohti pas stafetës mikse të biathlonit. “Kemi limite për të ftohtin, por nuk e di nëse matet edhe efekti i erës”, – ka deklaruar për gazetarët kreu i skuadrës suedeze Anders Bistroem: “Skiathloni filloi në orën 16:00 dhe Karlson në fund ishte e shkatërruar nga i ftohti. Duhen afruar oraret e garave sprint”.
Kontrollet anti-Covid janë shumë të ashpra për të shpëtuar të gjithë, por sportistët janë ankuar, mbi të gjitha për kushtet ekstreme me të cilat janë përballur në izolim. “Prej një jave jam e frikësuar, – ka deklaruar polakja e patinazhit Natalia Maliszevska, e detyruar të mos garojë në 500 metrat e ‘short track’. – Qaj derisa nuk kam më lot”. Ajo u lirua, sepse doli negative, por u ndal sërish në prag të kualifikueseve pas një testi tjetër negativ.
Sportistja belge e skeletonit, Kim Meilemans, ka postuar një video dëshpëruese në rrjetet sociale, sapo iu komunikua se nuk mund të hynte në fshatin olimpik, edhe pse ishte negativizuar. Prej disa ditësh ajo qëndron në një strukturë tjetër. “Objektivi ynë kryesor ishte që ta çonim Kimin në fshatin olimpik të Yanqing sa më shpejt të ishte e mundur”, – ka pohuar shefi i delegacionit olimpik belg, Olav Spahl.
E kuptojmë që masat ndaj Covid-it janë të nevojshme për sigurinë dhe shëndetin e të gjithëve, por mendojmë se sportisti duhet të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes”. Ka edhe nga ata, si finlandezi i hokeit, Marko Antila, që është ende në izolim pa arsye. “Nga pikëpamja mjekësore, dimë që një person si ai nuk infektohet më, nuk paraqet asnjë rrezik për të tjerët”, – ka thënë doktoresha e skuadrës finlandeze, Marit Valtonen. “Këto vendime izolimi nuk bazohen më te mjekësia dhe shkenca, janë më shumë kulturore dhe politike”.
Në një takim me përfaqësuesit e shtypit, zëdhënësi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar ka thënë se po mblidhen informacione në lidhje me çdo rast dhe po punohet me organizatorët për t’i zgjidhur. Por atyre që u kërkohet informacion për hotelet Covid, të përgjigjen: “Dëgjojmë për çdo sportist se nuk mund të garojë për shkak të infektimit nga Covid-19. Protokollet janë bërë për të garantuar Lojëra Olimpike për të gjithë”.