Presidentë, kryeministra, monarkë dhe udhëheqës në mbarë botën kanë bërë homazhe për jetën dhe shërbimin e Mbretëreshës Elizabeth II.
Kjo, duke reflektuar mbi një mbretërim 70-vjeçar që përfshiu disa nga momentet më të trazuara dhe vendimtare në historinë moderne britanike dhe botërore.
Ndërsa e enjtja kalonte dhe lajmet për shëndetin e përkeqësuar të Mbretëreshës, i lanë vendin përfundimisht lajmeve për vdekjen e saj.
Ndër fjalët e përdorura më shpesh ishin “detyrë”, “e palëkundur” dhe “e vazhdueshme”, por u përmend gjithashtu sensi i humorit të saj, jeta dhe roli i saj si nënë, gjyshe dhe si monarke.
Presidenti amerikan, Joe Biden dhe zonja e parë, Jill Biden, shkruan: “Madhëria e saj Mbretëresha Elizabeth II ishte më shumë se një monarke. Ajo përcaktoi një epokë”.
Në një botë ndryshimesh të vazhdueshme, shtuan ata, ajo kishte qenë “një prani e qëndrueshme dhe një burim ngushëllimi dhe krenarie për brezat e britanikëve, duke përfshirë shumë që nuk e kanë njohur kurrë vendin e tyre pa të”.
Çifti Biden vunë në dukje gjithashtu se Mbretëresha – “një grua shteti me dinjitet dhe qëndrueshmëri të pakrahasueshme” – “kishte duruar rreziqet dhe privimet e një lufte botërore përkrah popullit britanik dhe i mblodhi ata gjatë shkatërrimit të një pandemie globale për të parë ditët më të mira përpara”.
Pak minuta pasi u njoftua për vdekjen e Mbretëreshës, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, postoi një fotografi të thjeshtë të Mbretëreshës në profilin e tij në Twitter, e pashoqëruar me asnjë fjalë.
Në një mesazh të mëpasshëm, ai shkroi: “Madhëria e saj Mbretëresha Elizabeth II mishëroi vazhdimësinë dhe unitetin e kombit britanik për më shumë se 70 vjet. E mbaj mend si një mike të Francës, një mbretëreshë zemërmirë që ka lënë mbresa të qëndrueshme në vendin dhe shekullin e saj”.
“Asnjë sovran i huaj nuk i ka ngjitur shkallët e Pallatit Élysee më shpesh se ajo, e cila nderoi Francën me gjashtë vizita shtetërore dhe takoi secilin prej presidentëve të saj. Për të, frëngjishtja nuk ishte thjesht një relike e prejardhjes normane që vazhdonte në kaq shumë zakone, por një gjuhë intime dhe e dashur. Mbretëresha e gjashtëmbëdhjetë mbretërive e donte Francën, e cila e donte mbështetjen e saj”.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin i shprehu ngushëllimet e tij mbretit Charles për “humbjen e pariparueshme” të nënës së tij, duke thënë se Mbretëresha kishte “gëzuar me të drejtë dashurinë dhe respektin e nënshtetasve të saj, si dhe autoritetin në skenën botërore”.
Ai shtoi: “Ju uroj guxim dhe qëndrueshmëri përballë kësaj humbjeje të vështirë, të pariparueshme. Më lejoni t’ju kërkoj të përcjellni ngushëllimet dhe mbështetjen e sinqertë për anëtarët e familjes mbretërore dhe gjithë popullin e Britanisë së Madhe”.
Presidenti i Kinës Xi Jinping shprehu “simpatitë e tij të sinqerta për qeverinë dhe popullin britanik” në një deklaratë të lëshuar përmes mediave shtetërore.
“Xi Jinping, që përfaqëson qeverinë kineze dhe popullin kinez, si dhe në emrin e tij, shpreh ngushëllime të thella”, thuhet në deklaratë. “Vdekja e saj është një humbje e madhe për popullin britanik”.
Presidenti irlandez, Michael D Higgins, e përshkroi monarken e ndjerë si “një mike të shquar të Irlandës” ndërsa i ofroi ngushëllimet e tij familjes mbretërore.
“Madhëria e saj i shërbeu popullit britanik me dinjitet të jashtëzakonshëm”, tha ai. “Angazhimi i saj personal ndaj rolit dhe devotshmërisë së jashtëzakonshme të detyrës ishin tiparet dalluese të periudhës së saj si Mbretëreshë, të cilat do t’i rezervojnë një vend unik në historinë britanike”.
Higgins gjithashtu nderoi Elizabeth II për “hapjen e një baze të fortë për një mirëkuptim autentik dhe etik midis vendeve tona” dhe për refuzimin “të largohej nga hijet e së kaluarës” kur ajo vizitoi vendin në vitin 2011.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, e quajti Mbretëreshën “një prani të vazhdueshme në jetën tonë” dhe tha se bashkatdhetarët e tij gjithmonë “do të kujtojnë dhe vlerësojnë mençurinë, dhembshurinë dhe ngrohtësinë e Madhërisë së Saj”.
Narendra Modi, kryeministri i Indisë, tha se ajo do të mbahet mend si “një e fortë e kohës sonë” që kishte “personifikuar dinjitetin dhe mirësjelljen në jetën publike”.
Presidenti i Pakistanit, Arif Alvi, ofroi ngushëllimet e tij të sinqerta familjes mbretërore, qeverisë dhe popullit të Britanisë së Madhe për vdekjen e trishtuar të Mbretëreshës Elizabeth II, monarkes së dytë më jetëgjatë në historinë e Britanisë së Madhe.
Kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina, i ofroi familjes mbretërore të Britanisë “ngushëllime të përzemërta dhe të thella”, tha zëdhënësi i saj.
Udhëheqësja e ish-kolonisë britanike “i ofroi ngushëllimet e saj të thella dhe shprehu pikëllimin e saj për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II”.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se ishte i pikëlluar kur mësoi për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth dhe i dërgoi ngushëllimet më të thella familjes mbretërore dhe popullit dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Kryeministrja neozelandeze, Jacinda Ardern, tha se flamujt do të valëviteshin në gjysmështizë dhe do të bëheshin marrëveshje për një shërbim përkujtimor shtetëror.
“E di që flas në emër të njerëzve anembanë Zelandës së Re duke ofruar ngushëllimet tona më të thella për anëtarët e familjes mbretërore me vdekjen e Mbretëreshës”, tha Ardern.
“Për ne ajo ishte një monarke shumë e admiruar dhe e respektuar, për ta ishte një nënë dhe gjyshe”.
Kryeministri i Xhamajkës, Andrew Holness, shprehu “trishtimin e tij të madh dhe të thellë”, duke shtuar: “Ne bashkohemi me vëllezërit dhe motrat tona në Commonwealth në vajtimin e vdekjes së saj dhe lutemi për ngushëllimin e anëtarëve të familjes së saj dhe njerëzve britanikë, teksa pikëllojnë humbjen e mbretëreshës dhe matriarkut të tyre të dashur”.
António Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, tha se ishte thellësisht i pikëlluar nga vdekja e Mbretëreshës.
“Ajo ishte një mike e mirë e OKB-së dhe një prani qetësuese gjatë dekadave të ndryshimit”, tha ai. “Përkushtimi i saj i palëkundur dhe i përjetshëm do të mbahet mend gjatë”.
Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, shprehu ngushëllimet e tij, duke e përshkruar Mbretëreshën si “protagoniste absolute e historisë botërore për 70 vitet e fundit” dhe një grua që kishte përfaqësuar Mbretërinë e Bashkuar dhe Commonwealth-in me drejtësi, ekuilibër, mençuri dhe respekt.
Pedro Sánchez, kryeministri spanjoll, nderoi “figurën me rëndësi globale, një dëshmitare dhe autore të historisë britanike dhe evropiane”, ndërsa kryeministri holandez, Mark Rutte, kujtoi një monark që kishte “kombinuar një ndjenjë të fortë detyre dhe vendosmëri e palëkundur me një prekje të lehtë dhe një sens humori”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, foli për “trishtimin e tij të thellë” për lajmin, duke thënë se Mbretëria e Bashkuar dhe Commonwealth-i kishin pësuar një “humbje të pariparueshme” dhe ofroi mendimet dhe lutjet e tij.
Në një letër drejtuar mbretit Charles III, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu “ngushëllime të sinqerta në emër të Bashkimit Evropian”.
Ajo shtoi: “Mbretërimi i saj përcaktoi historinë e kombit tuaj dhe të kontinentit tonë. Ajo simbolizonte më të mirën e Mbretërisë së Bashkuar, popullin dhe vlerat e saj. Ajo do të thoshte kaq shumë për shumë njerëz dhe, në një shënim personal, ka qenë një frymëzim gjatë gjithë jetës sime”.
Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa shprehu “ngushëllimet e tij të thella dhe të sinqerta” në një deklaratë drejtuar mbretit të ri, Charles III.
“Madhështia e saj ishte një figurë publike e jashtëzakonshme dhe me famë botërore, e cila jetoi një jetë të jashtëzakonshme. Jeta dhe trashëgimia e saj do të kujtohen me dashuri nga shumë persona në mbarë botën”, tha Ramaphosa. “Angazhimi dhe përkushtimi i Mbretëreshës gjatë 70 viteve të saj në fron mbetet një shembull fisnik dhe i virtytshëm”.
Presidentja e Ganës, Nana Akufo-Addo, tha se Mbretëresha kishte sjellë “elegancë, stil dhe gëzim të plotë” në detyrat e saj” dhe e mbajti Commonwealth “të fortë dhe të vërtetë”.
Fumio Kishida, kryeministri japonez tha për Elizabeth II: “Ajo luajti një rol të rëndësishëm në krijimin e paqes dhe prosperitetit botëror”, duke shtuar se vdekja e saj ishte një “humbje e madhe” për komunitetin ndërkombëtar.
Argjentina, e cila luftoi dhe humbi një luftë të ashpër me Britaninë mbi Ishujt Falkland në 1982, shprehu “keqardhjen” e saj. Ministria e Jashtme tha se qeveria shprehu pikëllimin e saj dhe “shoqëron popullin britanik dhe familjen e saj në këtë moment pikëllimi”.
Monarki të tjera evropiane shprehën simpatitë e tyre dhe ndanë kujtimet e tyre.
Shtëpia mbretërore e Norvegjisë tha se ishte “thellësisht e pikëlluar për lajmin”, ndërsa mbreti holandez, Willem-Alexander, tha se mbretëresha “e palëkundur dhe e mençur” kishte kushtuar jetën e saj të gjatë për t’i shërbyer popullit britanik.
“Ne ndiejmë një lidhje të fortë me Mbretërinë e Bashkuar dhe familjen e saj mbretërore dhe ndajmë dhimbjen e tyre në këtë kohë”, shtoi monarkia norvegjeze.
Mbreti belg Philippe dhe Mbretëresha Mathilde thanë: “Ne do të mbajmë gjithmonë kujtime të këndshme për këtë zonjë të madhe, e cila gjatë gjithë mbretërimit të saj, tregoi dinjitet, guxim dhe përkushtim… Mbretëria e Bashkuar ka humbur një monark të jashtëzakonshëm që la gjurmë të thella në histori”.
Mbreti Felipe i Spanjës tha në një mesazh drejtuar mbretit Charles III: “I pikëlluar thellësisht nga lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të Madhërisë së Saj Mbretëreshës Elizabeth II, Nënës tuaj të dashur, dëshiroj t’i ofroj Madhërisë suaj dhe popullit britanik dhe në emër të qeverisë dhe popullit spanjoll, ngushëllimet tona më të përzemërta”.
Ndërsa nata binte në të gjithë Evropën të enjten, kryebashkja e Parisit, Anne Hidalgo, njoftoi se dritat e Kullës Eifel do të fiken në shenjë nderimi për Mbretëreshën.