Sipas Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, Beogradi duhet të largohet nga Rusia në aspektin e furnizimit me energji.
Duke komentuar lajmin e një tubacioni të ri të naftës përmes të cilit Serbia do të merrte naftë nga Rusia, ambasadori veteran ka deklaruar se Rusia është dëshmuar të jetë një furnizuese jo e besueshme dhe se ShBA-ja do ta ndihmojë Serbinë të diversifikojë burimet e saja të furnizimit me energji elektrike.
“Serbia duhet të diversifikojë burimet e saja të furnizimit me energji dhe të largohet nga Rusia në këtë drejtim, e cila është dëshmuar të jetë një furnizuese jo shumë e besueshme”, ka thënë Hill.
Ndryshe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, kanë rënë dakord të ndërtojnë një tubacion nafte në Hungari.
“Tubacioni i ri do t’i mundësonte Serbisë të furnizohej me naftë ruse më të lirë, duke e lidhur atë me tubacionin Druzbha”.
Kështu të paktën raportoi zëdhënësi i Orban, Zoltan Kovacs, duke shpjeguar se aktualisht, furnizimi me naftë i vendit bëhet kryesisht përmes një tubacioni përmes Kroacisë, por nuk ka gjasa që kjo të jetë e mundur në të ardhmen, për shkak të sanksioneve që janë miratuar.
Embargoja evropiane ndaj naftës ruse do të hyjë gradualisht në fuqi në fund të dhjetorit.
Nafta bruto është burimi kryesor i të ardhurave për Moskën, e cila eksporton një pjesë të madhe të naftës që prodhon, duke fituar rreth 190 miliardë euro, pothuajse 4 herë më shumë se të ardhurat e garantuara nga eksportet e gazit.
Aktualisht, Serbia e merr naftën e saj nga Rusia përmes tubacionit të naftës JANAF përmes Kroacisë.
Por javën e kaluar, BE-ja vendosi një kufi të çmimit për dërgesat ruse të naftës së papërpunuar nga deti në vendet e treta.
Hungaria ka qenë kritike ndaj sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.
Kryeministri Viktor Orban ka thënë se sanksionet “kanë dështuar pasi qeveritë në Evropë po shemben ‘si domino’”.
Në qershor, Hungaria vonoi finalizimin e një pakete sanksionesh të BE-së kundër Rusisë, duke kundërshtuar sanksionet ndaj Patriarkut Kirill.
Vendi mbështetet shumë në naftën dhe gazin rus dhe thotë se masat rritën çmimet e energjisë dhe shkaktuan një krizë energjetike evropiane.
Por Budapesti mbështeti paketën e sanksioneve të javës së kaluar.
BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara tani po vënë në pikëpyetje angazhimin e shpallur të Serbisë për t’u bashkuar me bllokun 27-vendesh pasi ajo nënshkroi një marrëveshje me Rusinë duke u zotuar për “konsultime” afatgjata për çështjet e politikës së jashtme.
Dega jugore e gazsjellësit Druzhba, ose Miqësia, kalon përmes Ukrainës në Hungari, Sllovaki dhe Republikën Çeke.
Ka qenë burimi kryesor i furnizimit për rafineritë e të tre vendeve për vite me radhë.