Ish-portieri kolumbian, Rene Higuita nuk e fshehu kurrë miqësinë e tij me trafikantin e drogës Pablo Escobar, një lidhje që megjithatë e çoi në burg.
Do të duheshin faqet e një libri për të treguar të gjithë historinë e Higuita-s, portierit “showman” të Nacional Medelin dhe Kolumbisë.
Portier i madh, para së gjithash. I lindur më 28 gusht 1966 në Medelin, i stërvitur në ekipet e të rinjve të Nacional, ai luajti një sezon për Millonarios të Bogota përpara se të kthehej në bazë dhe të bëhej i famshëm në të gjithë botën.
Ai shquhej për daljet jashtë zonës, fluturimet drithëruese, driblimet që të lënë pa frymë dhe guximin prej sulmuesi.
Përmasat e tij fizike (1,74 metër, me 74 kilogramë), flokët e zinj dhe aftësitë akrobatike u bënë një nga simbolet e Kolumbisë së trajnerit Francisco Maturana-s, e cila zbarkoi në vitin 1990 në Botërorin e Italisë, që ishte edhe viti i tij i artë. Ai fitoi Copa Libertadores me Nacional si protagonist, duke pritur katër penallti.
Më pas, drama e burgut. Higuita ishte një mik personal i Pablo Escobar, kreut të kartelit Medelin. Një bos droge, financues i fshehur i klubit, por edhe, në anën tjetër kreu i bandës, financues i projekteve të banesave publike për popullsinë në lagjet e varfëra.
Higuita e paguan vizitën e tij te Escobar në burgun “La Catedral” në vitin 1991 me përjashtim nga kombëtarja, pak para nisjes për në Kupën e Amerikës. Skandali është i madh, Federata e Futbollit e pezullon.
Kur Escobar arratiset nga burgu më 22 korrik 1992, nis një gjueti masive. Ata e donin jo vetëm një bërthamë të veçantë hetuesish, por edhe njerëzit e pamëshirshëm të kartelit rival, atij të Kalit.
Escobar në arratisjen e tij kishte nevojë të vazhdueshme për shuma të mëdha parash. Për t’i marrë ato ai nis rrëmbime personash. Një ditë ai rrëmben vajzën e Luis Carlos Molina-s, ish-menaxherit të Nacional-it, i cili, duke kujtuar marrëdhënien e Higuita-s me Escobar-in , i lutet portierit që të bëjë diçka për vajzën e tij.
Lojtari nuk qëndron i pandjeshëm dhe pas lirimit mbledh një shumë të barabartë me 75 milionë lireta si falenderim.
Ligji i ri kundër rrëmbimit në fuqi në Kolumbi e gozhdon atë, duke parashikuar, përveç sekuestrimit të pasurive edhe burg (nga 3 deri në 13 vjet) për këdo që ndërmjetëson mes familjes dhe rrëmbyesve pa informuar policinë.
Madje, emri i lojtarit është përfshirë së bashku me pesëmbëdhjetë të tjerë në listën e “të diplomuarve” të organizatës së Escobar-it. Ata të gjithë përmenden me pseudonime kurioze, përveç njërit: Jose Rene Higuita. Shtypi e drejton atë për “ekzekutim” publik në qershor të vitit 1993.
Ndërkohë që po zhvillohet Kupa e Amerikës, në vend që të jetë në portën e Kolumbisë, Higuita gjendet në burgun “La Picota” në Bogota , duke pritur të dijë fatin e tij. Në prag të largimit për në Ekuador, trajneri Maturana, duke sfiduar zemërimin e opinionit publik, shkoi ta takonte në burg dhe më vonë pranoi se kishte qarë.
“Rene është një djalë i jashtëzakonshëm, ishte ai që më inkurajoi. Më tha të largohesha në paqe, të përqafoja të gjithë shokët e tij, të cilët nuk i kishin lejuar ta vizitonin me mua, e njoh mirë prej shumë vitesh. Ai nuk është në gjendje të lëndojë askënd dhe nëse ka gabuar, e bëri me mirëbesim, duke mos ditur ligjin”, tha trajneri asokohe.
Në fakt, në gjyq historia do të shpërbëhet dhe Higuita do të shpallet i pafajshëm, edhe nëse deri tani imazhi i tij është komprometuar.
Ai përfundoi në Spanjë, jashtë ekipit kombëtar dhe njoftoi tërheqjen e tij në Krishtlindjet e vitit 1996. Një pensionim i parakohshëm, pak pasi kishte pësuar një sulm misterioz. Një bombë shpërtheu në shtëpinë e tij në Medelin, por pa pasoja në njerëz.
Ai largohet, Higuita, dhe bashkë me të çmenduria që komprometoi rrugën e Kolumbisë drejt Kupës së Botës 1990, por edhe “goditjen” e tij të paharrueshme të akrepit.
Një dokumentar i vjetër i ESPN, “The Two Escobars”, tregoi historinë e kriminelit më të pasur në histori dhe se si bota e errët e drogës përfundimisht mori përsipër dashurinë e tij për futbollin.
“Pablo gjithmonë e donte futbollin. Këpucët e tij të para ishin këpucë me taka. Ai vdiq po me këpucë futbolli“, tha motra e tij, Luz Maria.
Escobar nuk u emërua kurrë si president ose drejtor, por u bë shumë i njohur se ai ishte truri ose të paktën ofronte paratë. Ai mori kontrollin e rivalëve të qytetit të Nacional, Deportivo Independiente Medellin (DIM).Investimi i pamasë i tij çoi në fitimin e Copa Libertadores në vitin1989. Ata ishin skuadra e parë nga Kolumbia që e fituan atë.
Bosi i katelit Medelin ishte duke jetuar një ëndërr futbolli. Ai synonte të afronte legjendën argjentinase, Diego Maradona të luante një ndeshje në burgun e ndërtuar privatisht “La Catedral”.
Në një intervistë të para pak vitesh, Higuita siguroi se nëse Pablo do të ishte gjallë, do ta vizitonte në burg, “sot, nesër dhe gjithmonë”, siç bëri më 30 qershor 1991, kur ishte në burgun “La Catedral”.
“Isha shok i vogël (i Escobar-it), por me atë ‘mikun e vogël’ të gjithë do të donin të më kishin mik”, tha ish-portieri, i cili siguroi se vazhdon të ketë marrëdhënie miqësore me vëllain e Pablo-s, Roberto Escobar.