Më në fund, Pep Guardiola ka bomberin që kishte dashur. Mjaft me 9-a false, apo ide të çuditshme, Erling Haland e ka risjellë trajnerin spanjoll në “tokë” dhe Mançester Siti vërtet të fut frikën.
Atë që nuk arriti ta bente Zllatan Ibrahimoviç në kohët e Barcelonës, po e bën sulmuesi i ri norvegjez në Angli me trajnerin katalanas. Impakt i fuqishëm me ‘qytetarët’ për ish-lojtarin e Borusia Dortmund. Mjaftojnë numrat për ta shpjeguar: 12 gola në 8 ndeshje, 1 gol çdo 54 minuta të luajtura.
Haland ka thyer tabunë e numrit 9 për Guardiolën dhe rezultatet janë para syve të të gjithëve. Norvegjezi 22-vjeçar ka realizuar 2 tripleta dhe 2 dopieta. Nuk spikat në lojë, por biondi i gjatë gati 2 metra ka aftësinë të gjendet gjithmonë në vendin e duhur, në kohën e duhur, në zonat kundërshtare. E ka thënë edhe Guardiola: “Ka një sens të pabesueshëm goli”.
Statistikat e tij janë të jashtëzakonshme. Erling Haaland të martën në mbrëmje u bë lojtari më i ri në moshë që arrin kuotën e 25 golave në Champions.
Mes lojtarëve që kanë luajtur të paktën 20 ndeshje në Champions nga sezoni 2019/20 (kur debutoi në këtë kcompeticion), Haland është ai që ka mesataren më të mirë të golave (1 gol çdo 61 minuta).
Norvegjezi është lojtari më i shpejtë i historisë së Premier Ligës që arrin kuotën e 10 golave. Ai është edhe lojtari i parë në historinë e Mançester Sitit që shënon si në debutimin në Premier, ashtu edhe në Champions.