Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Biznesmeni shqiptar, fushatë kundër medias që i ka dëmtuar reputacionin

Ai ka filluar fushatën “Secondo August” sepse pret përgjigje për këto pyetje: Kur është i suksesshëm integrimi? Kur pranohet një emigrant në shoqërinë tonë?”

Sipërmarrësi Benard Duzhmani, i lindur në Kosovë dhe i rritur në Zvicër ka bërë bujë me një publikim që ai ka bërë dje në gazetën e së dielës “NZZ am Sonntag”, shkruan “persönlich.ch”.

Ai ka publikuar me pagesë në një faqe të tërë të kësaj gazete një reklamë ku mbrohet kundër një artikulli, sipas tij, denigrues për të, të botuar muaj më parë në revistën “Beobachter”. Një veprim sigurisht i pazakonshëm për rrethanat zvicerane.

Agjencia e njohur e fushës së komunikimit “Rod Kommunikation” nga Cyrihu ka marrë përsipër ta udhëheqë fushatën e shqiptarit. Ajo e ka emërtuar atë “Secondo August”, që është një aludim për 1 gushtin, si festë kombëtare e Zvicrës dhe për termin “Secondo”, emërtim për të huajt e gjeneratës së dytë. Ndërsa është sinjifikativ fakti se kjo fushatë është lansuar pikërisht më 1 Gusht, në ditën e festës më të madhe të Zvicrës.

“Mendime për Secondo August”, është titulli i reklamës në fjalë, në formë artikulli, të botuar në “NZZ am Sonntag”.

“Kundër meje dhe kompanisë sime janë bërë akuza serioze në një artikull nën titullin “Ilegal”, shkruan në këtë tekst Benad Duzhmani, që është themelues i kompanisë Swiss Home Finance. Nga përmbajtja kuptohet se ai i drejtohet një artikulli të revistës “Beobachter”.

“Artikulli shërbehet me një refleks për vendin tim të prejardhjes”, argumenton ai. Duzhmani ka rrënjë kosovare ndërsa është rritur në Zvicër nga mosha katërvjeçare, shkruan Persönlich.ch.

Në të njëjtën kohë me reklamën në fjalë, nën titullin “Mendime për Secondo August”, gjatë paraditës së festës kombëtare, Duzhmani ka dërguar për botim edhe një deklaratë. Aty thuhet se artikulli i botuar në dhjetor të vitit 2020 kishte prekur “në mënyrë të ndjeshme” ekzistencën e tij profesionale.

“Pretendimi për praktika të paligjshme ishte i rëndë”, thotë ai, duke ju referuar akuzave të mediumit në fjalë. (…) Në rastin tim, kjo akuzë ka bërë që unë të pushoja nga puna 60 punonjës në mes të krizës së koronës”, shkruan Duzhmani më tutje.

Akuza e revistës “Beobachter” ishte: Kompania Swiss Home Finance po i vinte punonjësit nën një presion të tillë që ata duhej të nënshkruanin vetë dokumentet e klientëve të tyre.

Duzhmani e pati mohuar edhe atëherë këtë pretendim. Ndërsa sot ai shkruan: “Edhe pse ndaj meje nuk janë ngritur dyshime dhe në veçanti, asnjë akuzë, duket se një intrigë po del e mjaftueshme për të rrezikuar mirëqenien e njerëzve të shumtë dhe për të më stigmatizuar”.

Duzhmani ka filluar fushatën “Secondo August” sepse ai pret përgjigje për këto pyetje: Kur është i suksesshëm integrimi? Kur pranohet një emigrant në shoqërinë tonë?”.

“Nëse kjo fushatë arrin të frymëzojë një numër njerëzish në Zvicër – me ose pa sfond migrimi – që të mendojnë se si mund të sillemi me njëri -tjetrin në mënyrë më të drejtë dhe pa paragjykime, unë do ta vlerësoj këtë fushatë si të suksesshme,” thuhet më tutje në deklaratën e tij.

Ai, në artikullin – reklamë përshkruan rrethanat në të cilat ka jetuar në Zvicër, i ardhur si fëmijë 4 vjeçar në vitin 1988. Bernadi i vogël kishte jetuar në një banesë me babanë dhe katër axhallarë, por pa nënën e tij. Ata të gjithë punonin ndërsa ky, si fëmijë parashkollor, në kohën e drekës detyrohej të gënjente edukatoren dhe në vend se të shkonte në shtëpi për të ngrënë drekë, fshihej në një park…

Pastaj, si 14 vjeçar ai i është bashkuar babait në punë ndërtimtarie. Më vonë ka filluar të studiojë për ndërtimtari por për shkak të kushteve të rënda, i ka ndërprerë ato, për t`u riorientuar në fushën e sigurimeve. Bernadi shpjegon edhe “aksidentin” e humbjes së shkronjës “r” nga emri i tij. Pra, për shkak të një gabimi teknik të nëpunësit të zyrës civile në Zvicër, ai , zyrtarisht nuk quhet Bernard por Bernad.

Ai thotë se gjatë gjithë jetës së tij ka bërë atë që Zvicra, me të drejtë, e pret nga emigrantët: një pjesëtar të zellshëm, punëtor, të pavarur financiarisht dhe integruar kulturalisht në shoqërinë mikpritëse. Por unë po përjetoj një përvojë të dhimbshme se `migracioni” për shumë kë në Zvicër është i lidhur e stereotipa.

Benard Duzhmani në aksionin e tij mbështetet nga David Schärer, partneri themelues i agjencisë së “Rod Kommunikation” nga Cyrihu. Shärer pra në këtë rast figuron si këshilltar komunikimi i Duzhmanit.

“Pasojat që artikulli në Beobachter ka pasur për të personalisht dhe profesionalisht, janë të rënda. Për Bernard Duzhmanin është shumë e rëndësishme që pikëpamja e tij të bëhet publike”, thotë Schärer në një intervistë me persoenlich.com.

Por çfarë thonë përgjegjësit e revistës “Beobachter” për reklamën prej një faqeje të plotë të botuar në NZZ am Sonntag?

“Ne jemi në dijeni për reklamën – Beobachter vazhdon të mbështesë artikullin që ka botuar”, thotë  një zëdhënës i kompanisë mediale “Ringier”, pjesë e së cilës është “Beobachter.

Reklama “Mendime për Secondo Gushtin” publikohet sot, e hënë, 2 gusht edhe në gazetën 20 minute.

LAJME TË TJERA >>