Vlera e kartonit të Armando Brojës, sulmuesit të Kombëtares shqiptare, është rritur ndjeshëm kohët e fundit, pas paraqitjes shumë të mirë të sulmuesit 20-vjeçar dhe veçanërisht golave që ai ka shënuar me fanellën e Southemptonit, ku është huazuar nga Çelsi. Tashmë nuk mund të flitet më për 25 milionë euro.
Broja ka shënuar 8 gola deri tani me “shenjtorët”, 6 në Premier Ligë dhe 2 në Kupë. Shifra mbresëlënëse për një lojtar të ri, por Broja është protagonist sa herë që zbret në fushë, edhe kur nuk gjen rrugën e rrjetës. Ai është aktivizuar titullar rregullisht në ndeshjet e fundit dhe ka qenë rreziku kryesor për mbrojtjet kundërshtare.
E gjitha kjo ka bërë që kartoni i sulmuesit kuqezi, sipas ekspertëve të merkatos në Angli, ta kalojë vlerën e 40 milionë eurove. Në këtë rast del i fituar Çelsi, që së pari duhet të vendosë, nëse do ta mbajë futbollistin shqiptar për sezonin e ri, apo do ta shesë përfundimisht, duke parë kërkesat në rritje për të.
Arsenali, Njukasëlli dhe Uest Hemi e kërkojnë në Angli, por edhe Frenk Lampard e do tek Evertoni. Ishte pikërisht ai që e afroi tek ekipi i parë i Çelsit dhe ia njeh mirë vlerat. Në anën tjetër, Bajerni dhe Borusia Dortmund, janë gati ta transferojnë Brojën në Gjermani, duke e cilësuar një lojtar me të ardhme të sigurt.
Kërkesat janë të shumta dhe ky faktor ndikon drejtpërdrejtë edhe në rritjen e vlerës së kartonit. Cilido që të jetë vemdimi përfundimtar, një gjë është e siigurt: Broja do të jetë sulmuesi më i shtrenjtë që Shqipëria ka pasur ndonjëherë në historinë e saj.