Gjykata e Tiranës nuk i ka njohur vendimet e Aasamblesë së FSHF-së, e zhvilluar 3 muaj e gjysmë më parë, më 15 mars 2022. Në atë Asamble presidenti Armand Duka fitoi mandatin e 6-të në krye të FSHF-së, ndërkohë që u zgjodh edhe Komiteti i ri Ekzekutiv.
Vendimet e Asamblesë në fjalë, që pati shumë kontestime, duhej të regjistroheshin në gjykatë, por nuk ka ndodhur kështu dhe për momentin gjithçka mbetet pezull.
Gjyqtarja Anila Karanxha nuk e pranoi në seancën e zhvilluar sot paradite kërkesën për regjistrimin e vendimeve. Ka ndodhur edhe më parë, që asambleja të mos njihet fillimisht nga gjykata, por më pas situata ka ndryshuar, kështu që duhet pritur.
Asambleja e fundit, e planifikuar për më datë 2 mars dhe e shtyrë më pas për më 15 mars, u shoqërua me debate të forta dhe akuza për paligjshmëri nga Shoqata e Futbollit të Tiranës, që e bojkotoi procesin.
Më 15 mars Duka fitoi mandatin e 6-të në krye të qeverisë së futbollit shqiptar, me 37 vota. Një mandat që duhet certifikuar nga gjykata për të qenë i vlefshëm. Për momentin nuk është i tillë.