Armand Duka do të mund t’i ushtrojë funksionet e tij si kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit plotësisht, pasi Gjykata e Tiranës ka marrë vendim të heqë pezullimin e tij nga detyra, si për të, ashtu edhe për sekretarin e Përgjithshëm të federatës, Ilir Shulku.
Duka u rizgjodh me numër të madh votash, për të gjashtën herë radhazi, si kreu i futbollit në Shqipëri.
Mirëpo, për shkak të vendimit të Gjykatës së Tiranës, ai nuk kishte të drejtë të ushtronte plotësisht detyrën e tij në këtë rol.
Kjo nuk do të thotë gjithsesi se hetimi mbi çështjen “Duka” ka mbaruar, pasi akuza ndaj tij për “Shpërdorim të detyrës” mbetet në fuqi.
Ai do të hetohet në gjendje të lirë mbi këtë akuzë.
Vendimet e shkuara
Gjykata e Apelit, të enjten e 18 marsit ka lënë në fuqi masën e pezullimit për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka.
Në këtë mënyrë, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e marrë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku përveç Dukës, pezullohen edhe dy zyrtarë të tjerë të FSHF-së.
Të tre akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, për shkak të manipulimeve që u bënë me zgjedhjet në shoqatat rajonale të futbollit.
Më 15 mars, Armand Duka u rizgjodh në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe për një tjetër mandat katërvjeçar qeverisës.
Duka arriti të kalonte pragun e 29 votave për t’u zgjedhur President. Ai arriti të merrte ekzaktësisht 37 vota, duke lënë pas Sulejman Starovën me katër vota dhe Dritan Shakohoxhën pa asnjë votë. Dy vota rezultuan të pavlefshme.
Vendimi i Gjykatës së Tiranës
Të enjten e 10 shkurtit, Gjykata e Tiranës i dha të drejtë Bashkisë së Tiranës, në padinë që ky institucion, në cilësinë e aksionarit në Klubin e Futbollit Tirana, ngriti kundër Dukës.
Bashkia e Tiranës, me në krye Erion Veliajn, ka paditur Dukën për një sërë akuzash, ndër të cilat korrupsion në krye të FSHF-së.
Sipas tyre, akuzat kishin të bënin me një përpjekje për të destabilizuar garën zgjedhore.
Përplasja “Duka-Veliaj”
E diela e 23 janarit do të bënte që mediat të gëlonin mbi një çështje të paprecedentë në Shqipëri.
Bashkia e Tiranës do ta padiste Armand Dukën për një sërë akuzash, ndër të cilat korrupsion në krye të FSHF-së, duke përpiluar një dosje voluminoze edhe ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, nga vetë Federata, përgjigjja erdhi e shpejtë.
Sipas tyre, akuzat kishin të bënin me një përpjekje për të destabilizuar garën zgjedhore. Por, ato u faktuan të hënën e 24 janarit, kur Prokuroria e Tiranës nisi zyrtarisht hetimin për Dukën.
Megjithatë, nga vetë federata, çështja u shpërfill. Ata u fokusuan te goditja ndaj vetë Veliajt dhe nxorën në dritë një audiopërgjim 30 minutësh, nga mbledhja e kryebashkiakut të Tiranës me disa zyrtarë të klubeve sportive tiranase.
Akuzat e Prodanit
Gjatë zgjedhjeve për kryetarin e Shoqatës së Futbollit Tiranë, një prej kandidatëve në garë, Eduard Prodani ka pasur kundërshtime.
Pasi ka konstatuar se në sallë ishin më shumë delegatë në numër sesa ishte përcaktuar më herët, Prodani është larguar.
Kujtojmë se, në bazë të të dhënave nga FSHF-ja, kjo shoqatë përfaqësohet nga 41 delegatë.
“Atëherë, siç prisnim në sallën e asamblesë gjetëm më shumë sesa numri i duhur i delegatëve. Duhet ta dini që kam insistuar që të jepej numri i delegatëve. Ka qenë manipulim i listës së delegatëve”, tha Prodani në dalje nga ambientet e FSHF-se.
Numërimi i votave për kreun e Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës
Pas përfundimit të numërimit të votave për kreun e Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës, me një rezultat prej 44-2, në krye të kësaj shoqate, u zgjodh Krenar Alimehmeti.
Alimehmeti në këto zgjedhje u njoh si kandidati që kishte mbështetjen e FSHF-së.
Ndërsa, Prodani kishte mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.
Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë zbuloi dhe pesë fituesit nga gjashtë që ishin në garë për Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së.
Të zgjedhurit janë: Fatjon Muhameti, Arbër Laçi, Marko Pelinxhi, Ervin Canollari dhe Florian Mema.