Shërbimi i Sigurisë ukrainase (SBU) ka deklaruar se pushtuesit rusë po përdorin simbole naziste në pajisjet ushtarake.
Por, i njëjti simbol është vënë re edhe në fanellën e gjimnastit rus, Ivan Kuliak, në garat e gjimnastikës artistike për Kupën e Botës në Doha.
Pikërisht aty ku duhej të ishte flamuri i vendit të tij, Kuliak kishte stampuar germën “Z”.
Pamja e tij mbi podium, teksa me duart pas, gjoksin para, pa ia hedhur fare sytë kundërshtarit ukrainas në krah, po bën xhiron e mediave.
Pasi fitoi medalje të bronztë në “shtyllat paralele”, rusi u ngjit në podium me shkronjën “Z”, afër fituesit të medaljes së artë, Illia Kovtun nga Ukraina.
Tanimë Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës (FIG) ka hapur procedura disiplinore ndaj 20-vjeçarit për “sjelljen shokuese” në Kupën e Botës.
“Z”, simbol nazist?
Germa “Z” është bërë simboli i pushtimit të Ukrainës nga Rusia. “Z” është parë në tanket dhe automjetet ushtarake. Ato mbahen edhe nga politikanët përkrahës në Rusi.
Për herë të parë, ky simbol u pa gjatë Luftës së Dytë Botërore – në kampin nazist të përqendrimit “Sachsenhausen”, shkronja “Z” shënonte ndërtesën ku u kryen masakrat.
“Stacioni Z kishte një krematorium me katër soba, ku nazistët dogjën trupat e të burgosurve. Në vitin 1943 aty u shtua edhe një dhomë gazi. Automjetet me njerëz dërgoheshin direkt në këtë objekt, duke anashkaluar regjistrimin në kamp”, thuhet në raportin e SBU-së.
SBU-ja shkruan se ajo që i frymëzoi pushtuesit rusë kur planifikonin shkatërrimin e Ukrainës dhe popullatës civile është tashmë e qartë.
Përveç shpjegimit të SBU-së, sipas ekspertëve ushtarakë – publikuar në një artikull të së përditshmes “Corriere della Sera” – “Z” dhe gjithashtu simboli “V” në automjetet ushtarake ruse në Ukrainë, janë shenja të njohjes së batalioneve që morën pjesë disa javë më parë në stërvitjet në Bjellorusi: “Z” shkurtim për Zapad (perëndim) dhe “V” për Vostok (lindje).