“Ndihet si një ëndërr. Është thjesht kaq surreale. Nuk ka përvojë tjetër si mbajtja e flamurit në ceremoninë e hapjes dhe përfaqësimi i vendit tuaj para botës. Ky është me të vërtetë një nder”, tha Xhepa.
Ai tregon dhe çastin kur u kontaktua dhe u tha se do të jetë pjesë e Lojërave, për të përfaqësuar Shqipërinë. Reagimi i parë i tij ishte “Çfarë po ndodh?”.
“Isha shumë i emocionuar. Mami dhe babi im ishin të befasuar. Vëllai ishte me mua kur federata më tha lajmin, ishte një moment shumë emocionues”, shtoi Xhepa.
Denni tregon se si shqiptari i vetëm në garë “ka rritje të presionit nga të gjitha anët”. Por, nga ana tjetër ai thotë se “unë jam këtu për të shijuar udhëtimin, për të shijuar mikpitjen e kinezëve dhe për të shijuar ushqimin kinez. Dhe më pas do të bëj një garë për të konkuruar”.
“Pavarësisht se çfarë do të ndodhë, unë do të vazhdoj të përmirësohem”, shtoi ai.
Megjithatë, skiatori kuqezi më shumë se sa triumfi në Pekin 2022, duke parë moshën e re, kërkon të përmirësohet më shumë dhe kjo ngjarje t’i shërbejë si eksperiencë.
“Jam 18-vjeç. Jam në eventin më të madh në ski alpine. Nuk mund të kërkoja më shumë”, tha ai.
Denni vetëm dy vite më parë bëri garën e parë si profesionist në Bormio të Italisë dhe u regjistrua në Federatën Ndërkombëtare të Skive (FIS).