Në Silverston debuton një logo e re: konfirmohet impenjimi për të futur në motorët e 2026-ës një karburant 100% eko dhe për racionalizimin e udhëtimeve.
Në Silveston, ku garohet më 3 korrik, Formula 1 do të prezantojë një logo të re. Një logo që simbolizon impenjimin e kampionatit më elitar automobilistik në lidhje me ambientin.
Që prej 2019-ës, Formula 1 ka lançuar fushatën ‘Zero karbon brenda 2030-ës’. Në këtë fushatë kanë aderuar skuadrat, promotorët, partnerët, furnizuesit, transmetuesit dhe FIA.
Konkretisht, po punohet për një karburant m ëtë përshtatshëm, 100% eko, që do të përdoret duke filluar nga 2026-a, kur do të debutojnë motorët hibridë të gjeneratës së re.
Objektivi është që ky karburant të mund të përdoret edhe për makinat në rrugë. Karburanti 100% eko po prodhohet dhe edhe pse është më pak se 1% e prodhimit, mbulon zonën ku F.1 mund të ketë efektin më të madh në sektorin e transportit global.
Një tjetër objektiv i ‘Formula One Group’ është që të racionalizojë kalendarin, duke përmirësuar logjistikën për udhëtimet. Po punohet në drejtime të ndryshme.
Synohet të kalohet në një logjistikë dhe në një organizim të udhëtimeve më efiçent nëpërmjet ajrit, detit dhe tokës.