Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Fjalimi i zbehtë i Osmanit – ndërsa BE-ja i vendos masa Kosovës, ajo flet për të ardhmen evropiane të vendit

Në të njëjtin moment derisa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, fliste para deputetëve evropian në Parlamentin Evropian duke i cilësuar si kreator të shtetit të Kosovës, zëdhënësi i Bashkimit Evropian po tregonte në një vend tjetër se cilat janë masat që BE ia ka vendosur Kosovës për mungesë bashkëpunimi dhe koordinimi.

Si një film i pakuptueshëm, situata ishte paradoksale deri në habi.

“Shtëpia nuk mbahet pa miq”, tha Osmani duke cituar Ibrahim Rugovën dhe shtoi se kjo vlen edhe në këto kohë, saktësisht në momentin kur miku (BE) tregonte për mungesën e miqësisë para gazetarëve.

Larg realitetit politik i cili po mbizotëron në Kosovë, meqë vendi po rrezikon të futet për herë të parë në mesin e shteteve të pakta që janë nën sanksionet e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Osmani çuditërisht në adresimin para Parlamentit Evropian ka folur për të ardhmen evropiane të Kosovës.

Ndërsa ajo po tregonte për rëndësinë e integrimit të Kosovës në bllokun evropian duke artikuluar frazën se “Kosova është e vendosur për t’iu bashkuar familjes evropiane”, Peter Stano, zëdhënësi i BE-së në një konferencë për media në Bruksel, tregonte për vendimin që Unioni, në pajtim me 27 shtetet anëtare, ka vendosur që të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mos-bashkëpunimit të kryeministrit të Kosovës për të de-përshkallëzuar situatën e tensionuar në Veri të Kosovës, bazuar në kërkesat e parashtruara paraprakisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Në mënyrë të habitshme ndonëse Osmani thoshte para eurodeputetëve në një fjalim të gjatë mbi 40 minuta se “Unioni Evropian është destinacioni ynë i drejtë”, Stano komentonte kryeneçësinë e shefit të qeverisë për të de-eskaluar situatën duke thënë se pesë pikat e Kurtit të propozuara një ditë më parë për shtensiom të situatës nuk adreson elementet kryesore të propozimit të komunitetit ndërkombëtarë, prandaj “BE-ja ka përgatitur propozim me masa me efekt të menjëhershëm”.

Ndonëse Stano fliste për masat ndëshkuese ndaj Kosovës si konsekuenca politike pas mos-gatishmërisë së Qeverisë së Kosovës për të bashkëpunuar për situatën në Veri, Osmani krejtësisht në frekuenca të kundërta deklaronte se “vlerat evropiane dhe fryma e BE-së janë të ngulitura thellë në ADN-në tonë. Janë këto vlera që formësuan të kaluarën tonë, që e frymëzojnë të tashmen dhe na udhëheqin drejt një të ardhmeje ku Kosova lulëzon si fener i idealeve evropiane”.

BE-ja dhe SHBA-të kanë përgatitur një sërë sanksionesh tepër serioze ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre nga kryeministri Kurti, si pezullimi i pjesëmarrjes së Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga BE-ja dhe vendet anëtare e deri te pasoja financiare për Kosovën.

Megjithatë krejtësisht në shpërputhje me këto vendime e në mënyrë paradoksale, Osmani tregonte se si rrugëtimi i Kosovës drejtë lirisë e pavarësisë rezonon me vetë themelimin mbi të cilin u ndërtua BE-ja.

“Vendi i merituar i Kosovës në familjen e BE-së jo vetëm që do t’i fuqizoj qytetarët tanë, por gjithashtu do të forcojë vetë themelet mbi të cilat u ndërtua Bashkimi Evropian dhe do të forcojë kontinentin tonë përmes unitetit gjithnjë e më të madh”.

Adresimi i Osmanit ka ardhur në një situatë kur raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian janë në një fazë të vështirë.

Bashkimi Evropian e konsideron Kosovën përgjegjëse për nxitjen e tensioneve në pjesën veriore të vendit dhe për mospërfillje të kërkesave për ndërmarrjen e hapave për uljen e këtyre tensioneve.

Si pasojë, kabineti i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, ka përgatitur dhe i ka ndarë me shtetet anëtare disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

LAJME TË TJERA >>