Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Financial Times: Shqipëria e mbërthyer nga skandali i spiunazhit të bandave kriminale

Shqipëria e mbërthyer nga skandali i spiunazhit të bandave kriminale.

Kështu shkruan gazeta britanike “Financial Times” teksa sjell një raportim për çmonitim e 500 kamerave të paligjshme në disa nga qytetet kryesore të vendit.

Për FT-në, ky është një skandal që nxjerr në pah fuqinë e rrjeteve kriminale në kombin e vogël ballkanik.

Kamerat, rreth gjysma e të cilave ishin montuar në kryeqytetin e vendit, u zbuluan gjatë një hetimi të nxitur nga një mjet shpërthyes i vendosur pranë shtëpisë së një oficeri policie në qytetin verior shqiptar të Shkodrës.

“Ndikimi i bandave kriminale është përmendur ndër arsyet kryesore që shqiptarët të largohen nga vendi i tyre dhe të shpërngulen në vende të tjera evropiane, përfshirë Britaninë e Madhe”, shkruhet më tej në artikull.

Vetë Policia pranoi një ditë më parë se kamerat e vendosura në shtylla elektrike dhe në rrugë ishin për të mbledhur informacione për qëllime kriminale – e të vendosura nga persona apo grupe kriminale që donin të kishin në kontroll lëvizjet e Policisë.

Kryeministri i vendit, Edi Rama tha se operacioni policor ishte “pak si një situatë Catch-22 pasi akuzohemi se nuk kemi marrë masa dhe akuzohemi gjithashtu kur marrim masa”.

“Fakti që policia veproi për këtë çështje, problem prej dekadash, do të thotë se qeveria është e prirur dhe e fokusuar në luftimin e krimit të organizuar”, tha Rama.

Ai shtoi se jo të gjitha kamerat ishin të lidhura me rrjetet kriminale dhe se “disa ishin për përdorim individual, megjithëse jo të ligjshëm”.

FT-ja sjell edhe deklaratën e ish-ministrit të Jashtëm dhe të Drejtësisë, Aldo Bumçi, i cili u shpreh se grupet kriminale kishin ndërtuar një rrjet global të trafikut të narkotikëve dhe po pastronin paratë në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama e kundërshtoi këtë duke thënë se “kultivimi i kanabisit ka rënë në mënyrë drastike dhe operacionet e suksesshme policore në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë flasin për rritjen e efektivitetit në luftimin e krimit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm”.

Vitin e kaluar, Komisioni Evropian kritikoi Shqipërinë, një kandidate në BE, për një ligj të propozuar që ofron amnisti për depozitat deri në 2 milionë euro në bankat shqiptare pa penalitete, duke tatuar transfertat me një normë deri në 10 për qind.

Një raport i departamentit të shtetit i publikuar vitin e kaluar tha se Tirana duhet të vazhdojë përpjekjet për reformën në drejtësi, të forcojë rregulloret dhe mbikëqyrjen kundër pastrimit të parave dhe të punojë për të gërryer ndikimin e krimit të organizuar.

“Krimi i dhunshëm në Shqipëri shoqërohet shpesh me krimin e organizuar. Gjyqtarët, prokurorët, policia dhe gazetarët kanë qenë subjekt i frikësimit”.

LAJME TË TJERA >>