Tani është zyrtare. FIFA ka vendosur që Rusia të mos luajë më 24 mars ndaj Polonisë, që gjithsesi kishte njoftuar se nuk do të zbriste në fushë, kurse Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i ftoi sot të gjithë për të mos përfshirë rusët dhe bjellorusët në kompeticionet ndërkombëtare.
Situata në Ukrainë bëri që FIFA dhe jo vetëm, ta përjashtojë Rusinë nga ‘play-off’-i i Botërorit, duke i hequr mundësinë për të shkuar në Katar. Rusia duhej të ndeshej me Poloninë në Moskë më 24 mars, por polakët mbajtën qëndrim, ashtu si dhe Suedia dhe Çekia, të tjerë kundërshtarë të mundshëm në ndeshjet shtesë.
Njoftimi është bërë me një komunikatë të përbashkët me UEFA-n, që ka pezulluar të gjitha klubet ruse nga aktivitetet ndërkombëtare. Në komunikatë shkruhet mes të tjerash se “futbolli është i bashkuar plotësisht në mbështetje të ukrainasve. Presidentët e FIFA-s dhe UEFA-s shpresojnë që situata në Ukrainë të ndryshojë sa më shpejt, në mënyrë që futbolli të jetë sërish një vektor uniteti dhe paqeje mes popujve”.
Edhe Shqipëria ka mbajtur qëndrim në lidhje me situatën në Ukrainë dhe ka bojkotuar çdo aktivitet sportiv me Rusinë, që do të thotë se dy ndeshjet e Ligës së Kombeve me këtë kundërshtar nuk do të zhvillohen.