Ndërsa konflikti intensifikohet në Ukrainë, kostoja njerëzore po përshkallëzohet. Këtu janë disa nga civilët që raportohet se kanë vdekur:
Polina, nxënëse e shkollës fillore
Një nga viktimat e para civile të përmendura në konflikt ishte Polina, e cila ishte në vitin e fundit të shkollës fillore në Kiev. Një foto e tregon atë të buzëqeshur, me flokët e theksuar me fjongo rozë.
Nënkryetari i Bashkisë së Kievit, Volodymyr Bondarenko, në një postim në Facebook tha se makina e familjes së saj u qëllua nga “diversantët rusë” në qytet. Vëllai i saj u dërgua për trajtim në spitalin e fëmijëve në Okhmatdyt dhe motra e saj dihej, për herë të fundit, se ishte në kujdesin intensiv në një spital tjetër.
Një vajzë 6-vjeçare
Më 27 shkurt, një vajzë 6-vjeçare u kap nga granatimet në qytetin port të Mariupol-it. Në skenat e kapura nga një gazetar i “Associated Press”, babai i plagosur i vajzës, me kokën e gjakosur dhe të fashuar, mund të shihet duke ngritur fëmijën e tij, i veshur me pizhame të zbukuruara me njëbrirësh, në pjesën e pasme të një ambulance.
Ndërsa një ekip mjekësor luftonte për ta shpëtuar, nëna e saj qau jashtë.
“Tregoji Putinit këtë”, tha një mjek i zemëruar drejtuar nga kamera e gazetarit.
Djalë 6-vjeçar
Një djalë u vra kur një ndërtesë apartamentesh pesëkatëshe u granatua në Chuhuiv, qytet jashtë Kharkiv-it.
Vëllai i tij 13-vjeçar po trajtohet në një spital për fëmijë në Kiev, raportuan të përditshmet “Pravda News” dhe “BBC”.
Kreu i administratës shtetërore rajonale të Cherkasy, Oleksandr Skichko, shkroi për shpërthimin në mëngjesin e 24 shkurtit, duke thënë në Facebook : “Një predhë goditi pjesën qendrore të qytetit. Një civil i vdekur, pesë të tjerë në spital”.
Yelena Ivanova dhe Yelena Kudrin, mësuese të shkollës së mesme
Në varrezat e distriktit Kalininsky, vajtuesit u fotografuan në funeralin e dy mësuesve të vrarë në një sulm me granatime në Gorlovka, në rajonin Donetsk të Ukrainës Lindore, më 25 shkurt. Yelena Kudrin, mësuese e gjeografisë dhe Yelena Ivanova, zëvendësdrejtoreshë, që të dy punonin në shkollën e mesme.
Naveen Shekarappa Gyanagoudar, 21 vjeç, student i mjekësisë
Në mëngjesin e 1 marsit, Naveen Shekarappa Gyanagoudar u vra në Kharkiv, ndërsa po shkonte për të blerë sende ushqimore. Ai i kishte thënë familjes se ishte strehuar në një bunker ditët e fundit, raportoi “Indian Express”. Studenti ishte këshilluar nga familja e tij që të vendoste një flamur indian jashtë ndërtesës ku ndodhej.
Gyanagoudar, 21 vjeç, i cili u zhvendos nga India në Ukrainë, ishte një student i vitit të katërt të mjekësisë në Universitetin Kombëtar të Mjekësisë në Kharkiv.
Ministria e Punëve të Jashtme të Indisë shkroi në Twitter: “Me dhimbje të thellë konfirmojmë se një student indian humbi jetën në granatimet në Kharkiv këtë mëngjes. Ministria është në kontakt me familjen e tij. Ne i përcjellim ngushëllimet tona më të thella familjes”.
Mohamed Abdel-Moneim, 25 vjeç, i diplomuar në inxhinieri
Një i sapodiplomuar për inxhinieri aeronautike, Mohamed Abdel-Moneim, u vra në Kharkiv. Raportet nga “New Arab” thanë se 25-vjeçari algjerian po kërkonte strehim në një strehë me studentë të tjerë kur u godit nga një plumb.
Në një video për “Al Araby TV”, babai i Abdel-Moneim tha: “Letra ime për këtë botë të çmendur: ne duam të jetojmë në paqe në të gjithë botën. Mjaft luftëra! Mjaft vrasje, për hir të Zotit!”.
Presidenti i Algjerisë, Abdelmadjid Tabboune, dërgoi “ngushëllimet e tij të sinqerta dhe ndjenjat e tij të thella të dhembshurisë dhe simpatisë” për familjen.