Euro ka vijuar të rikuperojë disa pikë kundrejt lekut gjatë javës duke e mbyllur atë me rritje.
Sot(18 gusht) u këmbye sipër nivelit të 106 lekëve për herë të parë që nga qershori.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, kursi i Euros është rritur me pothuajse një lekë në një ditë, ndërsa që nga fundi i javës së kaluar Euro ka fituar afërsisht 2.2 lekë.
Ditën e djeshme Euro u këmbye sipër nivelit të 105 lekëve.
Forcimi i Euros ka shtyrë në rritje edhe kursin e valutave të tjera.
Dollari Amerikan këmbehet sot me 97.53 lekë, duke prekur nivelin më të lartë që nga fillimi i muajit korrik. Ndërsa Paundi Britanik arriti vlerën e 124.01 lekëve, niveli më i lartë që prej fundit të muajit qershor.
Pas mesazheve të dhëna nga Banka e Shqipërisë në fillim të këtij muaji, kursi i Euros u duk lehtësisht më i stabilizuar.
Sipas të dhënave nga tregu, rritja ka ndodhur sepse Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë duke blerë euro dhe njësoj edhe bankat tregtare.
Në fund të kësaj jave, Banka e Shqipërisë do të zhvillojë ankandin e dytë të blerjes së valutës për muajin gusht. Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë është 5 deri në 9 milionë euro.
Ndonëse sezoni veror ndikon gjithmonë në zhvlerësimin e monedhave të huaja për shkak të flukseve turistike, ky zhvlerësim pati nisur që në fillim të vitit, aspak e zakontë.
Banka e Shqipërisë nuk parashikon stabilizim të kursit deri në përfundim të sezonit veror, ndonëse thekson se flukset janë të paparashikueshme.