Kampionati Euro 2022 për femra nis sot, ku Anglia mikpritëse do të përballet me Austrinë në ndeshjen e parë nga 31 në total nga 16 ekipe, të ndarë në 4 grupe.
Grupi A: Anglia, Austria, Norvegjia, Irlanda e Veriut.
Grupi B: Gjermani, Danimarkë, Spanjë, Finlandë.
Grupi C: Holandë, Suedi, Portugali, Zvicër.
Grupi D: Francë, Itali, Belgjikë, Islandë.
Janë shitur një rekord prej 500,000 biletash, dy herë më shumë se në Eurot e mëparshme në Holandë në 2017-ën, ndërsa finalja do të luhet në Wembley ku të gjitha biletat janë shitur.
Favorite për të fituar kampionatin është Anglia.
Ky është kampionati i parë Europian i femrave që do të zhvillohet në Angli që nga viti 2005.
Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, organizatorët e turneut UEFA e ka cilësuar edicionin e 13-të si “ngjarja më e madhe sportive e femrave në historinë europiane”.
“Ne mezi presim që të fillojë kampionati”, tha Nadine Kessler, shefja e UEFA-s për futbollin e femrave.
Gjysmë milion biletat e shitura tashmë janë blerë nga 99 vende dhe Kessler shtoi se ky është një rekord për një turne për femra.
“Kjo është thjesht fantastike”, tha ajo.
Euro e parë për femra pas pesë vitesh
Euro për femra zakonisht mbahet çdo katër vjet dhe, pasi Holanda e fitoi atë në 2017, duhet të ishte zhvilluar në 2021.
U shty 12 muaj pasi Kampionati Europian i meshkujve 2020 dhe Lojërat Olimpike të Tokios 2020 u shtynë të dyja në vitin 2021 për shkak të pandemisë.
Do të jetë hera e parë që teknologjia VAR do të përdoret në një kampionat europian për femra.
Bileta me çmim të ulët dhe turma rekord
UEFA ka vënë në dispozicion mbi 700,000 bileta ndërkohë që kampionati i mëparshëm i organizuar në Holandë u ndoq nga 240,045 fansa.
Çmimet e biletave janë mbajtur të ulëta për të tërhequr familjet. Ato variojnë nga 5 deri në 50 paund.
Pothuajse 100,000 tifozë ndërkombëtarë pritet të ndjekin ndeshjet, ndërsa pritet të jetë një audiencë televizive globale prej mbi 250 milionë personash.
“Ne kemi besim se këtë kampionat do të thyhen rekordet e Euro 2017”, tha Kessler.
Cilat vende po marrin pjesë dhe cilat kanë bërë histori?
Gjermania është padyshim skuadra më e suksesshme në historinë e turneut me tetë triumfe, duke përfshirë gjashtë radhazi midis 1995 dhe 2013. Fituesit e tjerë janë Norvegjia (1987, 1993), Suedia (1984) dhe Holanda (2017).
Gjashtë nga 10 skuadrat më të mira në botë po marrin pjesë: Suedia (e dyta në renditjen e FIFA-s), Franca (3), Holanda (4), Gjermania (5), Spanja (7) dhe Anglia (8).
Trajnerja e Anglisë, Sarina Wiegman, udhëhoqi vendin e saj të lindjes, Holandën, drejt lavdisë europiane pesë vjet më parë.
Përveç Anglisë, pretendente janë edhe Suedia, Gjermania, Franca dhe Holanda.
Irlanda e Veriut bën histori
Euro 2022 shënon një moment të madh në historinë e futbollit të femrave në Irlandën e Veriut. Kombëtarja u reformua vetëm në 2004 pasi u shpërbë në fund të shekullit.
Çfarëdo që të ndodhë këtë muaj, Irlanda e Veriut tashmë ka arritur një nga fazat më të mëdha në sport si një ekip i përbërë kryesisht nga lojtare “me kohë të pjesshme”.
Në përgatitje për Euro 2022, 22 lojtare hynë në një program profesional shtatë-mujor për tu përgatitur për kampionatin.