Ndërsa presidenti turk Recep Tayyip Erdogan vazhdon përpjekjet e tij për t’u pozicionuar si ndërmjetësi midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Perëndimit, ai foli me telefon me Presidentin e SHBA-ve, Joe Biden.
Ata diskutuan “shqetësimin e përbashkët për pushtimin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë në Ukrainë”, sipas një deklarate nga Shtëpia e Bardhë.
“Ata riafirmuan mbështetjen e tyre të fortë për qeverinë dhe popullin e Ukrainës, nënvizuan nevojën për një ndërprerje të menjëhershme të agresionit rus dhe mirëpritën përgjigjen e koordinuar ndërkombëtare ndaj krizës”.
Në deklaratë thuhet se presidenti Biden shprehu vlerësimin për përpjekjet e Turqisë për të mbështetur një zgjidhje diplomatike të konfliktit, si dhe për angazhimet e fundit të Turqisë me liderët rajonalë që ndihmojnë në promovimin e paqes dhe stabilitetit.
“Të dy diskutuan gjithashtu mundësitë për të forcuar lidhjet dypalëshe”.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki e përshkroi thirrjen si “konstruktive” dhe “të gjatë”, duke thënë se ata folën për rreth një orë. Ajo nuk pranoi të thoshte nëse ata diskutuan për aksesin në Detin e Zi.