Kryeministri Edi Rama kritikon homologun e tij britanik, Rishi Sunak për taktikat me shije të keqe të këtij të fundit lidhur me goditjen ndaj emigrantëve shqiptarë, që mbërrijnë ishullin me varka të vogla, shkruan Charles Hymas për ”The Telegraph”.
Rama akuzoi qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar se “ ka shpikur dramën” mbi emigrantët shqiptarë, kur tani ata përbëjnë vetëm dy për qind të mbërritjeve me varka përmes La Mansh.
Komentet e tij vijnë pasi kryeministri Sunak tha në fjalimin e tij se plani për të ndaluar anijet që kalojnë La Manshin ka nisur të funksionojë. Sunak deklaroi sot se kalimet me varkë të vogël janë reduktuar me 20%.
”Qeveria britanike nuk mund të shkëputet nga propaganda. Është e mjerueshme dhe të lë shije të keqe të shpikësh një dramë për përfitime politike”.Më pak se dy për qind e totalit të mbërritjeve në Britaninë e Madhe ishin nga Shqipëria. Të vazhdosh të flasësh për shqiptarët është gjest i ulët,” thotë Rama.
Kryeministri shqiptar nuk ka ngurruar të kritikojë ministrat britanikë kur flasin kundër shqiptarëve, duke akuzuar më parë Suella Braverman, sekretaren e Brendshme, për komente “të turpshme” për veçimin e shqiptarëve.
Ai sugjeroi që komentet e saj vitin e kaluar për “kriminelët shqiptarë” që kalojnë La Manshin me varka të vogla, mund të konsiderohet krim.
Mijëra shqiptarë janë duke u gjurmuar dhe vënë në shënjestër nga oficerët e Home Office për dëbimet.
Një ekip prej 400 personash është ngritur për të gjurmuar shpejt një numër të madh prej 17 000 kërkesash për azil nga shqiptarët, shumica e të cilave pritet të rezultojnë në dëbimin e tyre.
Ministrat besojnë se qasja e re aktive dhe marrëveshjet e reja të dëbimit me Shqipërinë kanë treguar efikasitet te migrantët e mundshëm nga shteti ballkanik.
”Arsyeja që ne po kthejmë shqiptarët është që në radhë të parë të pengojmë njerëzit e tjerë të vijnë dhe po ia dalim”, thotë ministri i Migracionit, Robert Jenrick, shkruan The Telegraph.
Ndërkohë kryeministri britanik Rishi Sunak e cilësoi si të suksesshëm planin e qeverisë konservatore për të ndalur fluksin e emigrantëve. Këtë të hënë, Sunak deklaroi se marrëveshja me Shqipërinë dhe vendet e tjera që hynin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar ka patur ndikim të madh në frenimin e emigrantëve të paligjshëm.
Kalimet janë reduktuar me 20% ndërkohë 1800 shqiptarë që po kryenin dënimin në burgjet angleze janë riatdhesuar në Shqipëri falë marrëveshjes mes dy shteteve.
“Marrëveshja me Shqipërinë po funksionon”
tha më tej Sunak sot në një konferencë për median mbajtur sot.
Sunak shpreson se me planin e tij të masave do të zbusë kritikat e partisë së tij por dhe kritikat e tjera lidhur me politikat e imigracionit. Sidoqoftë, ai është kritikuar nga anëtarët e partisë së tij dhe nga publiku se nuk ka lëvizur aq shpejt sa duhet, me njerëzit që protestojnë për strehimin e qindra emigrantëve në hotele pasi një numër rekord mbërriti në Britani vitin e kaluar.
“Në pesë muajt që kur nisa planin, kalimet tani janë ulur 20% krahasuar me vitin e kaluar. Plani po funksionon.
tha Sunak në një konferencë shtypi në Anglinë jugore.
Britania ka luftuar prej kohësh për të frenuar numrin e të ardhurve në brigjet e saj jugore, por Sunak pretendon sukses për planin e tij lidhur me akordimin me vendet evropiane për të zbutur numrin e emigrantëve si dhe për të shtrënguar masat.
Ai tha se një marrëveshje me Shqipërinë kishte nënkuptuar që Britania po kthente më shumë emigrantë në vend dhe se Londra po shtonte ofrimin e strehimit për ata që prisnin vendimet për imigracionin. Sunak tha se qeveria kishte siguruar dy anije të reja për të strehuar emigrantët për t’i larguar ata nga hotelet. Sunak tha deri më tani këtë vit, “numri i mbërritjeve të anijeve të vogla shqiptare ka rënë me pothuajse 90%” dhe se Britania tani po pranonte një në 50 raste të azilit shqiptar krahasuar me një në pesë më parë. Ai i kërkoi parlamentit të miratojë projekt-ligjin e tij të ri për Migracionin Ilegal, i cili do të lejojë ndalimin dhe dëbimin e shpejtë të njerëzve që mbërrijnë me varka të vogla në atdheun e tyre ose në të ashtuquajturat vende të treta të sigurta si Ruanda.
Gjatë takimit dypalësh mes kryeministrit Rama dhe Rishi Sunak në mars 2023 ata ranë dakord që një ekip i përbashkët mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë do të kryejë një vlerësim të kapaciteteve të burgjeve të Shqipërisë, një proces që do të përfundonte deri në fund të prillit, me qëllim kthimin e të gjithë shtetasve të përcaktuar shqiptarë në sistemin e burgjeve të Mbretërisë së Bashkuar.