Mes elitës ruse po krijohet një grup njerëzish që kundërshtojnë presidentin Vladimir Putin dhe po shqyrtojnë eliminimin e tij.
Kjo raportohet nga mediat ukrainase që citojnë mesazhin e Drejtorisë kryesore të Inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës (GUR).
“Helmimi, një sëmundje e papritur, një aksident – elita ruse po shqyrton mundësinë e largimit të Putinit. Midis biznesit dhe elitës politike ruse, po formohet një grup njerëzish me ndikim kundër Vladimir Putinit. Qëllimi i tyre është të largojnë Putinin nga pushteti sa më shpejt të jetë e mundur dhe të rivendosen lidhjet ekonomike me Perëndimin, të shkatërruara nga luftërat në Ukrainë”, raporton inteligjenca ukrainase.
Sipas GUR-it, një pjesë e caktuar e elitës politike ruse e konsiderojnë drejtorin e FSB-së (Shërbimit të Sigurisë në Rusi) Aleksandër Bortnikov si pasardhësin e Putin-it.
“Ishte Bortnikov dhe departamenti i tij ata që ishin përgjegjës për të analizuar gjendjen shpirtërore të popullsisë së Ukrainës dhe aftësinë e ushtrisë ukrainase. Dihet se Bortnikov dhe disa përfaqësues të tjerë me ndikim të elitës ruse po shqyrtojnë opsione të ndryshme për largimin e Putinit nga pushteti”, thuhet më tej në mesazhin e GUR-it.
Inteligjenca ukrainase vëren se është e mundur që “rrjedhja” e fundit e vendndodhjes së njësive çeçene në veri të Kiev-it të jetë e lidhur me këto procese.
Informacioni erdhi nga pala ruse. Kjo është ndoshta mënyra se si udhëheqja e FSB-së po përpiqet të dobësojë ndikimin e Kadyrov-it.