Shtetet e Bashkuara po punojnë me autoritetet ukrainase për një “Plan B” në lidhje me eksportet e grurit jashtë vendit.
Kjo, pas sulmit të Rusisë në portin jugor të Odesa-s.
Lajmi u bë i ditur nga administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power për multi-medialin “CNN”.
“Plani B përfshin transportin rrugor, hekurudhor dhe lumor, dërgimin e mauneve dhe rregullimin e sistemeve hekurudhore për t’u lidhur më mirë me ato evropiane në mënyrë që eksportet të mund të lëvizin më shpejt”, deklaroi fillimisht Power.
Sipas saj, autoritetet vendase po i përmbahen planit të emergjencës sepse nuk mund t’i besohet gjithçka që thotë Vladimir Putin (Presidenti i Rusisë).
Power nënvizoi shpresën se “marrëveshja e grurit” do të mbetet, pavarësisht lëvizjes së Rusisë për “t’u larguar menjëherë” duke bombarduar portin.
Sigurimi i furnizimeve me grurë do të ndihmojë në uljen e çmimeve, shtoi Power.
Një “marrëveshje” mbi eksportin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi u nënshkrua në Stamboll të premten pas muajsh negociatash të tensionuara të ndërmjetësuara nga Turqia dhe OKB-ja.
Megjithatë, të nesërmen, Rusia nisi një sulm me raketa në portin e Odesa-s, ku rezervat e grurit ruhen në magazina.