Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

“E kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe mirë po shkon puna”, thotë Kurti

“E kemi dhe mirë po shkon puna”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kur është pyetur për mbështetjen nga ndërkombëtarët.

Ai në një takim me ambasadorët e akredituar në Kosovë në komunën e Pejës, ku i pranishëm me të ishte edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozin, është pyetur për raportin me ndërkombëtarët të cilin e ka cilësuar si “mjaft të mirë”.

Sipas tij, të gjitha përpjekjet në Veri ishin bërë që procesi i zgjedhjeve të bëhet “në mënyrë demokratike” e që kryetarët të ushtrojnë detyrën e tyre nga objektet.

“Ajo çfarë është e rëndësishme të theksohet është se krejt çka kemi synuar ne si Qeveri dhe institucione të Republikës, është që të mundësojmë që kryetarët e komunave të zgjedhën në mënyrë demokratike të kenë qasje dhe të punojnë në zyrat e tyre, ku duhet t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, feje dhe prejardhje dhe besoj që për këtë do ta kemi mbështetjen e të gjithë faktorëve ndërkombëtarë”, ka deklaruar ai për RTV Dukagjinin.

Më 26 maj, sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënojnë ashpër atë çfarë ka ndodhur këtë të premte në Veri të Kosovës, kur policia asistoi kryetarët e ri të Leposaviq-it, Zveçanit dhe Zubin Potokut të futen në zyrat e tyre.

“Ne fuqishëm e dënojmë aksionin nga Qeveria e Kosovës që po eskalon tensionet në veri dhe po rritë pasigurinë”, ka thënë Blinken.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të tërhiqet menjëherë.

“Thërrasim kryeministrin Albin Kurti që menjëherë të ndalë këto masa të dhunshme dhe të rifokusohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, shkroi Blinken në Tëitter.

Ndërsa edhe në komunikatën e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, u tha se ShBA-të “dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”.

Çka ndodhi?

Në mesditën e së premtes të 27 majit në katër Komunat me Shumicë Serbe në Veri të Kosovës, u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokalë të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Albanian Post raportoi mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë përkundër tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat komunave repsektive në Veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kishin arritur të futen në ndërtesat komunale.

Në të tri komunat Policia e Kosovës ka arritur të “thyej” turmën e protestuesve serbë duke e liruar edhe objektet e këtyre Komunave.

Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale.

Teksa pesë policë kishin mbetur të lënduar.

LAJME TË TJERA >>