Një votim tepër i rëndësishëm pritet të ndodhë të mërkurën e 23 nëntorit, ku ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare në Bashkimin Evropian, do të mblidhen për të parë mundësinë e shpalljes së Rusisë si vend që sponsorizon terrorizmin.
Në kulmin e luftës në Ukrainë, vendimi mund të shfaqet tepër me vlerë, mbi të gjitha pas ngjarjes së ndodhur në Poloni, ku dy raketa – të supozuara prej mbrojtjes ukrainase – ranë në territorin polak dhe lanë dy persona të vrarë.
Nga Kievi, menjëherë u pretendua se ato janë lëshuar nga Rusia. Por, sipas një hetimi paraprak polak, ato kanë qenë raketa të lëshuara nga mbrojtja e Ukrainës, të cilat nuk kanë punuar si duhet në ajër dhe janë rrëzuar në territorin polak.
Nëse ministrat e Jashtëm ndërkohë, vendosin për shpalljen e Rusisë si shtet terrorist, mund të përgatitet edhe hapësira ligjore e nevojshme për të nisur një hetim për krime lufte ndaj Vladimir Putinit dhe për të kërkuar një dënim për të nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Baza e ndërtuar mbi debatin e zhvilluar për çështjen, ka pasur të bëjë me sulmet ruse, që kanë goditur shkolla, spitale, infrastruktura energjetike dhe kanë lënë të vrarë qindra njerëz në Ukrainë.
Më 18 tetor, ishte Estonia ajo e cila e shpalli “regjim terrorist” atë të Vladimir Putinit, me vendim të Parlamentit.
Ligjvënësit estonezë, e kanë firmosur aktin duke u mbështetur edhe në aneksimet e fundit ruse në katër rajonet e territorit ukrainas të Donetskut, Luhanskut, Zaporizhzhias dhe Khersonit, ku separatistët shpallën fitore me mbi 95% të votave, duke u bërë edhe shteti i parë perëndimor, që plotëson kërkesën e Zelenskyt për ta njohur Rusinë si shtet terrorist.
Do ta ndjekë shembullin i gjithë unioni?
Më 23 nëntor vendoset!