Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Dezinformimi humbës i Putinit në paradën e “Fitores”

Parada e “Ditës së Fitores” nuk marshoi larg pritshmërive të analistëve dhe zyrtarëve perëndimorë, sa i takon dozës së parashikuar të dezinformimit nga Presidenti Vladimir Putin.


Çka nuk ndodhi, ishte që pavarësisht paralajmërimeve të disa ekspertëve dhe mediave të afërta me Pentagonin, Putin nuk i shpalli zyrtarisht luftë Ukrainës. Por gjithçka tjetër ishte aty.


Putini tha se trupat ruse (në Ukrainë) “po mbrojnë mëmëdheun”. Fakt: Ushtria ruse ndodhet në një vend të huaj, duke tentuar të përmbushë një pushtim të plotë apo të pjesshëm të këtij vendi të huaj. Pavarësisht se Kremlini ka sanksionuar që agresioni të quhet “Operacion Special Ushtarak”, ajo që po ndodh në Ukrainën fqinje, është pushtim i një vendi sovran.

Presidenti rus akuzoi direkt SHBA-në dhe partnerët e saj për mbështetjen e neonazistëve në Ukrainë, duke theksuar se “një përplasje me neonazistët [në Ukrainë]… ishte e paevitueshme”. “Detyra jonë është të ruajmë kujtesën e atyre që mposhtën nazizmin… që të sigurohemi që tmerri i një lufte botërore nuk do të përsëritet”, tha Presidenti rus.


Paralelizmi ndërmjet Ukrainës së sotme dhe Gjermanisë Naziste është diçka e përsëritur nga Putini. Ky pretendim justifikohet me ekzistencën e disa batalioneve luftarake ukrainase me ideologji të djathtë ekstremiste – praktikisht fashistë – të cilët janë grumbulluar brenda një grupimi të njohur si “Sektori i Djathtë”. Këtu mund të gjenden edhe kërkesat aktuale të Putinit për “denazifikim” të Ukrainës.

Kjo organizatë paraushtarake vlerësohet në rreth 1% të totalit të forcave luftarake ukrainase, ata nuk kanë një rol në qeveri, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tentoi t’i shpallte organizatë terroriste para fillimit të luftës. Rrjedhimisht, pretendimi i Putinit se Ukraina qeveriset nga nazistët është i pavërtetë.

Por, shefi i Kremlinit përmendi që ekzistojnë humbje ndër radhët e ushtarakëve rusë. “Vdekja e çdo ushtari dhe oficeri është e dhimbshme për ne”, tha ai, duke shtuar se do të bënte “gjithçka” për të ndihmuar familjet e prekura. Vlerësimet më konservatore nga agjencitë e inteligjencës perëndimore dhe platformat e hapura të inteligjencës ushtarake, flasin për të paktën 15 mijë ushtarë rusë të vrarë në Ukrainë dhe disa dhjetëra mijë të tjerë të plagosur. Ndërkaq, Rusia ka humbur 9 gjeneralë nga 20 që ka pasur në frontin ukrainas, një humbje e shpërpjesëtuar dhe me efekte të mëdha në kapacitetet strategjike si dhe në moralin e trupave ruse.

Dezinformi i Kremlinit u theksua veçanërisht në pretendimet se NATO dhe Ukraina po përgatiteshin për agresion ushtarak ndaj Rusisë. Putini akuzoi Perëndimin se po “përgatitej për të pushtuar tokën tonë, përfshi Krimenë”. Specifikisht, Krimea, u aneksua nga Ukraina në vitin 2014, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe marrëveshjet dypalëshe mes Ukrainës dhe Rusisë. Termi “përfshi”, është në fakt përjashtues, duke qenë se nënkupton që Krimea ishte vetëm një nga shënjestrat ruse, të cilave Perëndimi u kishte vënë syrin.


Kjo deklaratë është e pavërtetë. Perëndimi ka mbajtur një qëndrim paqësor ndaj Rusisë, madje një sërë vendesh perëndimore kanë pranuar fajin se ishin treguar dritëshkurtra ndaj synimeve afatgjata të Putinit, duke mbajtur një qasje joreaguese ndaj Kremlinit. Agresioni rus në Ukrainë, i cili daton nga viti 2014, ka ardhur në mënyrë të njëanshme dhe asnjë territor rus nuk është tentuar të pushtohet nga Perëndimi, qoftë edhe përmes Ukrainës.

Presidenti rus u përpoq të justifikonte luftën në Ukrainë, duke thënë se sulmi rus ishte një “goditje parandaluese mbi agresorin”. Ai pretendoi që NATO kishte plane agresive ndaj Rusisë, dhe se kishte përgatitje të hapura për “një operacion tjetër ndëshkimor në Donbas, dhe pushtimin e tokave tona historike”. Putini pretendoi që NATO dhe Ukraina po ngrinin rreziqe “të papranueshme” në kufijtë me Rusinë. Mjaftojnë argumentet e mësipërme dhe realiteti në terren në ditët e sotme për të kuptuar që asnjë prej këtyre pretendimeve nuk qëndron. Nuk ka pasur tentativa nga NATO për ta armatosur Ukrainën para pushtimit rus të këtij viti – përkundrazi ka mbajtur qëndrim neutral.


Ndoshta pretendimi më fantastik i Presidentit Putin ishte ai i një Ukraine bërthamore. “Në Kiev deklaruan se mund të blinin armë bërthamore, ndërsa NATO filloi të merrte kontroll ushtarak në territoret ngjitur me tonat”, tha Putini. Të dyja këto janë fantazi. Ukraina nuk ka ndërmarrë asnjë hap për t’u armatosur me armë bërthamore, diçka që në çdo rast do të refuzohej nga komuniteti ndërkombëtar. Gjithashtu, “marrja e kontrollit ushtarak” nga NATO është një pretendim i zbrazët, duke qenë se NATO vepron mbi territoret e shteteve anëtare, të cilat në mënyrë sovrane kanë zgjedhur të jenë pjesë e NATO-s.

Për të arsyetuar këto plane të pretenduara të Perëndimit, Putini përmendi një marrëveshje që sipas kreut të Kremlinit, qenka diskutuar në fund të viti 2021, por që vendet perëndimore nuk e pranuan.
“Në dhjetor të vitit që shkoi, propozuam përmbylljen e një marrëveshjeje mbi garancitë e sigurisë. Rusia i bëri thirrje Perëndimit që të përfshihej në një dialog të sinqertë, në kërkim të zgjidhjeve të arsyeshme të kompromisit, duke marrë parasysh interesat e njëri-tjetrit. Ishte e gjitha e kotë”, tha Vladimir Putin.


Në fakt, në dhjetor të vitit që shkoi, Rusia hodhi si kusht në tryezë, që NATO të kthehej në kufijtë e vitit 1997, ndërsa Bashkimi Europian të konsultohej me Federatën Ruse për vendimet kyç që merrte brenda bllokut të vendeve anëtare. Këto ishin disa prej “zgjidhjeve të arsyeshme” që Kremlini tentoi të arrinte në këmbim të përmbajtjes nga agresioni kundër Ukrainës.

LAJME TË TJERA >>