Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është thirrur sot në Prokurorinë e Posaçme, ku do të dëshmojë para prokurorëve. Mësohet se Balla u paraqit në SPAK sot rreth orës 9:45 minuta, dhe për rreth 3 orë e gjysmë, kreu i grupit Parlamentar socialist Taulant Balla ka dëshmuar si person në dijeni për privatizimin e dyshimtë të klubit sportiv “Partizani” në Tiranë.
Deputeti socialist tha se në Prokurorinë e Posaçme u thirr si person që ka dijeni për hetimet, ndërsa shtoi se u ka dhënë fjalën hetuesve të BKH-së që çështjet mbeten pjesë e sekretit hetimor.
“Unë kam qenë shpesh këtu për të depozituar kallëzime penale si person që kam dijeni. Besoj e shpresoj që SPAK do i shkojnë fund akuzave. Kam bërë kallëzim edhe për çështjen e kompanisë OSSH”.
Balla bëri po ashtu të ditur se ditën të enjten, 8 qershor, do të jetë sërish prezent në SPAK për padinë ndaj Sali Berishës.
“Unë do jem sërish këtu nesër për një padi penale në ngarkim të Berishës. Në momentin që ndaj teje ngrihet një akuzë, duhet t’a adresosh. Dua t’i qëndroj angazhimit që për çështjet që diskutova të mbeten sekret. Unë shpresoj të ketë zhvillime për privatizimin e kompleksit të Partizanit”
Ndërsa, i pyetur për arrestimin e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, Balla tha se qëndrimi i tij është i njëjtë me atë të kreut të qeverisë Edi Rama.
“Kryeministri ka qenë shumë i qartë. Unë sot dua që t’i kërkoj drejtësisë së re, që edhe këto çështje për të cilat unë vij shpesh këtu, një ditë të mbyllen,”
Privatizimi i kompleksit ‘Partizani’ është një dosje që tashmë e ka në dorë Prokuroria e Posaçme. Në këtë padi të bërë më herët nga Balla akuzohen për shpërdorim detyre ish-kryeministri Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami. SPAK i ka kthyer përgjigje Kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Ballës i cili më 18 shkurt i dërgoi një letër ku kërkonte informacione se çfarë është bërë me hetimet pas padisë së tij në vitin 2020 për privatizimin e kompleksit Partizani nga Familja Berisha. Në përgjigjen e SPAK thuhet se çështja është nën hetim. Çështja është regjistuar për veprën penale të parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal që parashikon ‘pastrim të produkteve të veprës penale’, pra pastrim parash.
Më 17 nëntor 2020 Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka dorëzuar një kallëzim penal në SPAK, për privatizimin e kompleksit “Partizani”. Balla ka ngritur akuzë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks. Një pronë me rreth 10.000 m2, mu në qendër të Tiranës në vitin 2008 e prapa është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë. Nëse çdo qytetar shqiptarë do ta vlerësonte është një pronë me 10.000 m2 duke ndërtuar 17 kulla me një vlerë 21 milionë euro kjo është blerë më pak se vlera e një garsoniere të shitur në atë zonë. Në letrën për SPAK Balla ka kërkoi informacion se çfarë është bërë me këtë hetim.
Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes që qëndronte këtu, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot mund të shihni këtë grup me 17 kulla në Rrugën “Frosina Plaku”, tek ish Fusha e aviacionit, qendra më të madhe sportive në zemër të kryeqytetit, me përmasa 26.000 metra katrorë, qe në fund u pagua vetëm 14.000 euro.
Në atë tokë sot janë ndërtuar dhe po ndërtohen ende dhjetra kulla të kompleksit Magnet 1 dhe Magnet 2 që vlejnë 4.000 herë më shumë, nga të cilat Jamarber Malltezi, dhëndri i ”doktorit”, është bashkëpronar me mbi 40% të aksioneve. Një çështje e errët që prodhoi fitime prej dhjetëra miliona eurosh. Falë ligjit të transparencës, për herë të parë, e gjithë dosja për privatizimin e ” Kompleksit sportiv Partizani ” ka dalë nga arkivat e ministrive me kërkesë të gazetarëve investigativë të Report TV, të cilët e studiuan atë për muaj me radhë.
Në dalje të SPAK, Balla u pyet edhe për ndryshimet në qeveri por zgjodhi të mos komentonte duke thënë: “Po mos ma humbni lajmin për këtë…” dhe u largua. Para se të shkonte në SPAK, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përmes një postimi në rrjetin social facebook deklaroi se kush mendon se kanë hequr dorë nga akuzat gjatë kohës që ishin në opozitë, e ka shumë gabim.
“Kush mendon se kemi hequr dorë nga akuzat tona gjatë kohës kur ishim në opozitë, e ka shumë gabim. Prej vitit 2012 dhe pa asnjë ndërprerje vit pas viti, kam denoncuar grabitjen e kompleksit Partizani, duke përvetësuar ndërtesat dhe fushat e futbollit mu në qendër të Tiranës. Sot në SPAK depozitohen prova të reja të kësaj mega-grabitje. Kam shumë besim se Drejtësia e re do t’i shkojë deri në fund”.
shkruan Balla