Në Nion të Zvicrës është hedhur shorti për të përcaktuar çiftet e skuadrave që do të garojnë në turin e dytë kualifikues të UEFA Europa Conference League.
Një pjesë e skuadrave, në varësi të ligave dhe pikëve të arritura, janë kualifikuar automatikisht në këtë raund. Dhe një pjesë tjetër do të dalin nga triumfet në raundin e parë.
Pasi të martën skuadrat shqiptare që do të luajnë në turin e parë kualifikues të Conference League zbuluan kundërshtarët, këtë të mërkurë janë zbuluar edhe emrat me të cilët do të përballen, nëse kalojnë, në raundin e dytë.
Drita, nënkampione e Kosovës do të luajë direkt në turin e dytë kualifikues. Ndërsa, kujtojmë që, janë edhe shtatë skuadra të tjera shqiptare në këtë kompeticion, por që do e fillojnë nga turi i parë. Ato janë Tirana, Vllaznia, Egnatia, Gjilani, Dukagjini, Shkëndija dhe Shkupi.
Goglat e shortit të hedhur këtë të mërkurë në Nion caktuan çiftet:
Drita do të ketë përballë Viktoria Plzen-in e Çekisë.
Dukagjini , i cili në turin e parë ndeshet me Europa (Gjibraltar), në raundin e dytë do të ketë përballë kroatët e Rijeka.
Gjilani, i cili në turin e parë ndeshet me Progres Niederkorn (Luksemburg), në raundin e dytë do të ketë përballë danezët e Midtjylland.
Vllaznia, e cila në turin e parë ndeshet me Linfield (Irland e Veriut), në raundin e dytë do të ketë përballë polakët e Pogon Szczecin.
Tirana, e cila në turin e parë ndeshet me Dinamo Batumi (Gjeorgji), në raundin e dytë do të ketë përballë Besiktas-in turk.
Shkupi , i cili në turin e parë ndeshet me Hegelmann (Lituani), në raundin e dytë do të ketë përballë bullgarët e Levski Sofia.
Shkëndija, e cila në turin e parë ndeshet me Haverfortwest (Uells), në raundin e dytë do të ketë përballë fituesin e çiftit Torshavn (Ishujt Faroe) – Paide Linnameeskond (Estoni).
Egnatia, e cila në turin e parë ndeshet me Ararat (Armeni), në raundin e dytë do të ketë përballë grekët e Aris-it të Selanikut.
Ndeshjet e raundit të parë kualifikues me dy takime do të zhvillohen më 13 dhe 20 korrik. Ndeshjet e raundit të dytë janë gjithashtu me dy takime dhe do të zhvillohen më 27 korrik dhe 3 gusht.