Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Çmimi i lirisë- Jeta tragjike dhe vdekja e Ivit, naziskinit të parë shqiptar

Mendrit Shehu- Historia e Ivit nis në rrugët plot zhurmë të Tiranës. Ishte shtatori i vitit 1992, një kohë kur era e ndryshimit ndihej kudo, në çdo gjethe peme, në çdo frymëmarrje, që i ngjasonte një mrekullie të vërtetë. Ivi , një i ri rreth të njëzetave, sapo ishte kthyer nga Gjermania, një vend që dikur e kishte strehuar si refugjat. Por diçka kishte ndryshuar brenda tij gjatë emigrimit, diçka e errët dhe shqetësuese.

Iv Dervishi, me kokën e rruar, me një kanotiere të errët dhe pantallona ushtarake, me syzet e errëta dhe xhupin e lëkurës, me këpucët e rënda ushtarake, bridhte në rrugët e Tiranës, duke ngjallur panik tek policët dhe admirim tek njerëzit që ishin të lodhur me regjimin. I sapo kthyer nga Gjermania ku shkoi si refugjat dhe u kthye si naziskin, ditën e Holokaustit, gjëmonte duke rrahur me shqelma një pastruese me ngjyrë në rrugën “Mine Peza” dhe duke thirrur “Heil Hitler”. Kjo nuk ishte hera e parë që Iv Dervishi, i vetë deklaruari nazist i kryeqytetit më komunist të Europës, jepte spektakël në kryeqytet, duke hutuar autoritetet dhe duke intriguar njerëzit.

Shumë e quanin “i çmenduri”, “i droguari”, apo edhe “spiuni”. Por Ivi fshihte diçka të madhe, diçka tronditëse për ata që duan të shohin përtej perdes. Sjellja e tij e veçantë fshihte një natyrë komplekse dhe enigmatike. Nën pamjen e tij të çuditshme, fillimisht Ivi zotëronte inteligjencë të përsosur ndaj shpesh e thërrisnin “Anglezi”. 

Në atë periudhë qarkullonin thashetheme të ndryshme për rrethanat e çmendurisë së supozuar të Ivit. Disa pretendonin se i vëllai i tij që “punonte lart” i kishte siguruar një raport të sëmuri psikik, për ta lenë të jetonte i lirë. “Çmenduria” u bë çmimi që Ivi pagoi për lirinë që dëshironte, një çmim që çdokush në ato kohë të pasigurta mund të kishte qenë i gatshëm ta paguante.

Iv Dervishi pasi kishte kaluar muret e ambasadës gjermane.

I RRITUR NË “BLLOKUN” E AMBASADAVE

Megjithatë, historia e Ivit nuk fillon me shndërrimin e tij në nazist apo me aventurat e tij. Që në moshë të vogël, nga dritarja e tij, ai vështronte rrugicën e një blloku magjepsës, që s’kishte aspak ngjashmëri me vendet që frekuentonte përditë.

Ai ishte një vend magjepsës,  nga e cila vinte erë parfumi “të jashtëm” e që atij i ishte thënë se është rruga e të “huajve”. E tërhoqi ajo rrugicë e mbushur me zërat e fëmijëve të veshur ndryshe e që flisnin një gjuhë të ndryshme nga e tija. Ai dëshironte të hynte në atë botë misterioze, të prekte bukurinë dhe të përjetonte emocionin që ngjallte.

Në Tiranë, në vitin 1990 ishin të vendosura vetëm 17 përfaqësi diplomatike, 4 përfaqësi tregtare, si dhe 5 rezidenca e 4 pallate banimi, por vetëm 3 prej tyre ishin ambasada perëndimore: RFGJ-ja, Italia, Franca, Greqia, Jugosllavia, Çekosllovakia, Rumania, Turqia, Polonia, RDGJ-ja, Hungaria, Bullgaria, Vietnami, Kuba, Kina, Koreja e Veriut, Algjeria, Ambasadori arab.

Këto foto janë nga të paktat që naziskini shqiptar nuk i dogji apo grisi përpara vdekjes nga droga

Aventurat e Ivit në “Bllokun” e Ambasadave janë nga më të pabesueshmet. Kalimtarët në rrugën Skënderbe , sidomos gjatë orarit të drekës, shikonin një djalë me kokë të rruar, me vetëm një rrip flokësh në mes. Kush ishte ky njeri, pse e “lejonin” që të sillej dhe të vishej në atë mënyrë.

Ai shoqërohej me vajzat e bukura të diplomatëve, një enigmë për ata që vështronin këtë skenë. Dhe në fakt ishin të shumta ato vajza shqiptare që do të jepnin gjithçka për të qëndruar me Punk-un e parë shqiptar, i cili refuzonte çdo gjë shqiptare dhe kërkonte vetëm shoqërinë e vajzave të huaja.

Playboy-i i Rrugës Skënderbe , siç u quajt Ivi , krijoi miqësi të shumta. Aventurat e tij përfshinin vajzën e ambasadorit çek, pastaj e lë për të zënë të dashur vajzën e ambasadorit bullgar, dhe më pas u lidh me vajzat e ambasadorit italian dhe jugosllav. Por “dashuria” e tij për vajzën e ambasadorit jugosllav përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme,  kur ky i fundit ankohet në polici. Ivi ndalohet dhe rrihet nga uniformat blu. Dhuna e pësuar do ti shkaktonte plagë emocionale,  që më pas do t’i sillte edhe një goditje nervore.

Një sëmundje që gjithsesi ishte larg konceptit të të çmendurit që i atribuonin të gjithë. Ivi hakmerret duke i shpuar gomat e makinës, dhe për këtë në polici i rezervojnë një raund të dytë “negociatash”.

Megjithatë, ndërveprimet e Ivit me vajzat e diplomatëve sollën ndryshime te ai. Pak nga pak, Ivi filloi të komunikojë me gjuhën e vajzave të ambasadorëve. Ishte vetëm 20 vjeç dhe dinte shumë mirë të fliste gjermanisht, anglisht, serbisht.

Pavarësisht përpjekjeve të aparatit të sigurimit për ta arrestuar, Ivi mbeti i lirë, i “mbrojtur” nga statusi i tij shëndetësor i paqartë. Edhe pse dhunohej sistematikisht nga policia, ai dashuronte vajza ambasadorësh, bridhte rrugëve të Tiranës komuniste, i veshur si nazist, duke nxitur frikë tek policia dhe kuriozitet tek popullata. 

Disa çaste nga jeta e tij në “Tokën e premtuar”.

ARRATISJA

Ngjarjet e Ambasadave në vitin ’90, natyrisht nuk mund të linin pa prekur Iv Dervishin. Ajo që ndodhi në 2 korrik 1990, kur shtetasit shqiptarë u dyndën në ambasadat e huaja kishte të bënte me kundërveprimin e njerëzve më të guximshëm që prisnin ndryshimin e madh.

Më 3 korrik të vitit 1990, një kamion me katër burra kaloi murin e ambasadës gjermane në Tiranë, ngjarje që shënoi fillimin e përpjekjeve të mijëra Shqiptarëve që përpiqeshin të futeshin në ambasada me shpresën e një jete në liri.

Pikërisht ato ditë, ndërsa kangjellat e ambasadës gjermane u hapën për t’u futur makina e ambasadorit, Ivi shfrytëzoi rastin për të rrëshqitur me shpejtësi dhe futet në ambasadë, duke iu shmangur policëve të hutuar, të cilëve partia u kishte thënë se ishte thjesht një “budalla” i gjorë dhe që dhe nuk përbente rrezik. Brenda pak ditësh, ëndrra e tij u realizua dhe ai u gjend në Perëndim, në Botën e Lirë, atje ku të çmendurit si Ivi, konsideroheshin normalë.

Detajet e qëndrimit në Perëndim mbeten të mbuluara me mister. Ajo që dihet është se ai u dashurua me Monikën, një gjermane me të cilën thuhej se ishte martuar. Megjithatë, lidhja e tyre rezultoi jetëshkurtër, duke zgjatur vetëm gjashtë muaj. Arsyet e ndarjes janë të paqarta, por thuhet se përkeqësimi i shëndetit mendor të Ivit, dhe fillimi i frekuentimit të drogave kryesisht petidinës, (një qetësues i fortë kundër dhimbjeve, i ngjashëm me morfinën, pasi në rastet e rralla që përdorte heroinë apo kokainë, bëhej keq, shumë keq) e bënë bashkëjetesën të padurueshme. 

KTHIMI DHE VDEKJA

Pas kthimit nga Gjermania dhe ndarjes me Monikën, dashurinë e tij të fundit, Ivi nuk largohet më nga Shqipëria. Në vitin 1996 shtrohet për herë të parë në repartin e toksikologjisë në spitalin ushtarak të Tiranës. Për dy javë, ai luftoi kundër varësisë së tij nga droga, një ves që e kishte ‘’pushtuar’’ që prej vitit 1992. Fatkeqësisht, ai nuk ja doli, pasi tashmë trupi i tij ishte shkatërruar tërësisht.

Ivi frymën e fundit nuk e dha në shtëpinë e tij të vjetër ku të mund të hidhte shikimin e fundit mbi rrugën e Ambasadave, por në një apartament diku afër 21 Dhjetorit, nën kujdesin e nënës së tij të dhembshur.

Një atak në zemer i dha fund jetës së jashtëzakonshme të njeriut më ekzotik të Tiranës komuniste. Në murin e dhomës ndodhej një fotografi e Monikës, ngulur mbi një zemër të kuqe – që ai e puthte çdo mëngjes gjatë ditëve të fundit të jetës.

Monika, shoqja e tij gjermane me të cilën bashkëjetoi për disa kohë

Ivi , rebeli i viteve ’80, që e pagoi shtrenjtë lirinë e vet,  sillet ende si një fantazmë në Rrugën e Ambasadës, ku djemtë e qethur dhe të veshur si ai, nuk përbëjnë më çudi, frikë dhe tmerr. 

Dhe në ketë mënyrë, historia e Ivit, nazistit të parë shqiptar, që askush nuk ka mundur asnjëherë të kuptojë natyrën e veçantë të djaloshit që çmendi, për vite me radhë, partinë dhe sigurimin e shtetit mori fund, duke lënë pas një trashëgimi misteri, rebelimi dhe një kërkimi të pandalshëm për liri.

Historia e tij shërben si një kujtesë e komplekseve që gjenden brenda çdo individi, dëshirave të fshehura dhe barrës që dikush mund të mbajë në kërkim të lirisë.

LAJME TË TJERA >>