Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Çfarë po ndodh ushtarakisht në Ukrainë?

Rusët sulmojnë Ukrainën nga deti me raketa, godasin qytetet me artileri, riorganizojnë pozicionet e tyre. Vëzhguesit e konfliktit nënvizojnë se pushtuesi po has në vështirësi, të evidentuara edhe nga vrasja e mundshme e zëvendëskomandantit të Flotës së Detit të Zi.

Dje komponenti detar luajti një rol më të theksuar me korvetat e klasit Buyan, të pranishme në Detin Kaspik dhe pranë bregdetit jugor. Njësi këto që kanë pas vetes eksperiencën e luftës siriane, ku kishin lëshuar bomba në tokë dhe kishin bërë tashmë stërvitjen që në dhjetor.

Kështu që përdorën kruizët Kalibr për të sheshuar objektet ushtarake. Bomba të tjera kanë arritur deri te një kazermë me ushtarë vullnetare në Zhytomir (veriperëndim).

Një tjetër “zjarr” është hapur nga hapësira drejt lagjeve të Mariupolit, ende me korvetat, ndërsa përballë Odesës është në pritje task-forca amfibe.

Rusët më pas nisën Kinzhalin hipersonik nga një aeroplan që fluturonte mbi Detin e Zi. Objektivi i deklaruar ishte një depo lubrifikanti. Një zgjedhje me kosto të lartë dhe me një sistem që nuk është me bollëk në arsenalin e Putin-it, por që siguron, në letër, saktësi më të madhe.

Megjithatë, një ekspert amerikan ka shprehur dyshime për përdorimin e Kinzhal-it. Goditja, hamendëson ai, ishte ndaj një ferme në Lindje dhe jo një bunker.

Përdorimi i raketave dhe i Marinës janë një alternativë ndaj aviacionit. Sipas Pentagonit, misionet ajrore janë rritur – tani rreth 200 në ditë – ndërsa aviacioni ukrainas është i kufizuar në rreth 10 në ditë, përveç dronëve turq që janë bërë simbol i rezistencës.

Avionët luftarakë të Moskës, megjithatë, gjithmonë duhet të përballen me kërcënimin e anti-ajrorit të Kiev-it, mjaft efikas, që është duke përdorur Stingers portativ dhe ndoshta edhe instrumentesh të tjerë që mund të përgjojnë në lartësi më të mëdha.

Sllovakia do të furnizojë sistemin S300-at të saj dhe në këmbim do të marrë bateri holandeze dhe gjermane Patriot. Dhe SHBA-të theksojnë gjithashtu se aviacioni ukrainas, pavarësisht disproporcionit të forcave, ende operon dhe mirëmban 80% të pajisjes së tij.

Mariupol vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve të ashpra, me shumë viktima, ndërsa dhjetëra qytetarë dyshohet se janë deportuar drejt Rusisë. Moska dha ultimatumin: dorëzohuni, ose do të jetë fundi!

Pasojat materiale janë gjithashtu shkatërruese: Azovstal, një nga fabrikat më të mëdha të çelikut në Evropë, është shkatërruar.

Nëse qyteti bie, rusët do të merrnin kontrollin e një porti të rëndësishëm në Detin Azov dhe mbi të gjitha do të hapnin një korridor për të lidhur Krimenë me Donbas-in, aktualisht e lidhur me Rusinë vetëm nga një urë e ndërtuar pas aneksimit.

Betejë me kosto, edhe për ata që sulmojnë: zëvendëskomandanti i flotës së Detit të Zi, Andrey Paliy, është vrarë në Mariupol.

Me origjinë nga Kievi (atëherë sovjetik), ai kishte mbajtur poste të rëndësishme, duke përfshirë atë të numrit dy të ushtrisë ruse në Siri. Emri i tij u shtohet të paktën katër gjeneralëve të tjerë që thuhet të jenë vrarë në betejë.

Në frontet e tjera, përparimi i trupave mbetet i kufizuar dhe nga e shtuna avancimi është ndërprerë përsëri për të marrë furnizime për vijat e para  të frontit.

Në disa raste, rusët janë shtyrë prapa.

Për këtë arsye, me mbarimin e fazës së parë, trupat po “nguliten” në disa sektorë në pritje të zhvillimeve. Ata janë “afër” me Kiev-in, por nuk janë në gjendje ta rrethojnë atë.

Janë shumë drejtimet për të lëvizur pa pasur burime. Shumica e analistëve besojnë se Ushtria ruse ka arritur kulmin e saj (të paktën tani për tani) dhe, për këtë arsye, duhet të kufizohet në mbajtjen e asaj që ka pushtuar.

Kështu që ruan presionin me artilerinë. Ose angazhon mbrojtjen me bastisje që, më pas, rezultojnë në viktima. Një strategji e gërryerjes kjo që prek pjesën kundërshtare.

Burime të cituara nga “Washington Post” flasin për një mijë rusë të plagosur ose të vrarë çdo ditë. Por një studiues nga instituti britanik “RUSI”, megjithatë, thotë se ushtarët e Carit janë përshtatur me situatën e vështirë dhe përfaqësojnë një kërcënim aktualisht. Kjo si kujtesë për të mos nënvlerësuar fuqinë shkatërruese të pushtuesit.

Burimi: “Corriere della Sera”

LAJME TË TJERA >>