Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Çfarë ndodh kur përplasen Olimpiada dhe politika?

Ndonëse Komiteti Olimpik Ndërkombëtar bën thirrje për neutralitet, Lojërat Olimpike kanë dëshmuar se shpesh janë të lidhura me politikën, përfshirë edhe atletët që synojnë të argëtojnë botën përgjatë dy javëve.

Ndër arsyet kyçe: Shpërthimet diplomatike. Qindra atletë kanë marrë pjesë nëpër Lojëra Olimpike dhe nuk janë kthyer kurrë në vendin që e kanë përfaqësuar.

Historitë e tyre nga viti 1948, kur kanë nisur Lojërat Olimpike në Londër pas periudhës së Luftës së Dytë Botërore, konfirmojnë se kur bota takohet për sporte, politika është gjithmonë aty. Atletja nga Bjellorusia, Krystsina Tsimanouskaya, e cila është larguar nga Tokio më 4 gusht, në kërkim të strehimit në ndonjë vend tjetër, bëhet pjesë e traditës me një arsye të veçantë.

Shumica e atletëve kanë garuar me flamurin e shtetit të tyre, ndonëse në mendje kanë pasur vendet e Perëndimit. Atletja bjelloruse, Krystsina Tsimanouskaya e cila u strehua në ambasadën polake në Tokio arrin në Aeroportin Ndërkombëtar Narita, në lindje të Tokios, 4 gusht 2021.

Olimpiada u ka ofruar mundësi për të ikur nga regjimet autoritare, sidomos në kohën e Luftës së Ftohtë. Në Lojërat Olimpike të mbajtura në Mynih më 1972, më shumë se 100 atletë kanë qëndruar në Gjermaninë Perëndimore për të kërkuar strehim, para se të barteshin në ndonjë shtet demokratik.

Planet e atyre që ia kanë dalë përbëhen nga një mori arsyesh – ideologji politike, ideja e një jete më paqësore apo thjesht, mundësia e ruajtjes së vlerave të vërteta prej një atleti/atleteje. Tsimanouskaya nuk ka pasur në plan që të ikë kur ka arritur në Japoni nga Bjellorusia, një shtet që po përballet me trazira tash e një vit, për shkak të rizgjedhjes së liderit autoritar, Alexander Lukashenka.

Që prej gushtit të vitit të kaluar, protestuesit në Bjellorusi po kërkojnë largimin e Alyaksandr Lukashenkës.

Ajo nuk është pajtuar me trajnerët e saj rreth përzgjedhjes së atletëve në gara dhe ka ndarë mendimet e saja nëpër rrjete sociale. Kjo gjë e ka rritur vëmendjen ndaj saj në Bjellorusi, ku disidentët mund të kërcënohen me jetë.

Përmes vendimit të saj Tsimanouskaya është bërë autore e një faqeje në historinë e Olimpiadës.

Çfarë kanë bërë atletët tjerë, që janë përfshirë në përplasjen sport-diplomaci?

Londër 1948 ( dhe më tej)

Oscar Charles ka pasur tjetër rol në Lojërat Olimpike Verore. I lindur si Oszkar Csuvik në Hungari, ai i ka ndihmuar ekipit kombëtar për të fituar medalje të argjendtë në Londër. Ai më pas ka kërkuar të qëndrojë në Britani dhe t’i shmanget kthimit në regjimin komunist të vendit të tij, Dy vjet më vonë, ai ka migruar në Australi dhe ka trajnuar ekipin e tij në Lojërat Olimpike të mbajtura në Helsinki më 1952.

Lojërat Olimpike janë mbajtur më pas në Australi më 1956, tri javë pasi forcat e ish-Bashkimit Sovjetik kanë pushtuar Hungarinë për të shtypur kryengritjen e popullatës. Charles ka punuar atje si komentator në radio dhe ka qenë i përfshirë në rrëfimet e ashtuquajtura “Gjak në ujë”, pasi ekipi i Hungarisë ka mundur ekipin sovjetik me rezultat 4-0 në përleshjet e dhunshme në lojërat në ujë (water polo).

Melbërn, 1956.

Të mbajtura në hemisferën jugore, Lojërat Olimpike të mbajtura në Melbërn kanë nisur më 22 nëntor, 1956. Hungaria ka dërguar më shumë se 100 atletë nga kombi që përballej atëbotë me trazira pas pushtimit të forcave sovjetike – përfshirë gjimnasten Ágnes Keleti, e cila ka fituar dy medalje të arta dhe dy të argjendta, si dhe është strehuar në Australi.

Ajo u është bashkuar dhjetëra atletëve të Evropës Lindore, të cilët kanë refuzuar të shkojnë në shtëpi. Shtetet e Bashkuara kanë marrë më pas 40 atletë, përfshirë 35 nga ekipi i Hungarisë në Melbërn. Keleti ka shkuar në Izrael, ku ka jetuar deri gjashtë vjet më parë. Tani në Hungari, ajo ka mbushur 100 vjet në muajin janar dhe është kampionia më e vjetër olimpike.

Atlanta, 1996

Strehimi në Shtetet e Bashkuara ka qenë atraktiv. Atlanta e ka ofruar këtë mundësi. Mbajtësi i flamurit irakian në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike, Raed Ahmed, ka ikur nga fshati olimpik, pasi ka garuar në sportin me ngritje të peshave.

Ai ka dëshiruar t’i ikë regjimit të Saddam Husseinit. Lojtari Rolando Arrojo i ka ndihmuar Kubës që të fitojë medalje të artë në bejsboll në Lojërat e Mbajtura më 1992 në Barcelonë dhe është përgatitur për të ndihmuar në mbrojtje të titullit. Ai ka arritur t’iu shmanget rojeve të sigurisë në një hotel të Xhorxhia dhe më pas është shpallur tradhtar nga presidenti i Kubës, Fidel Castro.

Dy vite më vonë, si lojtar i klubit amerikan Tampa Bay Devil Ray, ai ka fituar çmim në bejsboll.

Londër 2012

Ayouba-Ali Sihame ka qenë notarja e vetme që ka përfaqësuar ishullin afrikan të Komoreve në Londër. Atëbotë 17-vjeçare, ajo ka ikur nga fshati olimpik, pasi ka garuar në kategorinë 100 metra stil i lirë.

Ajo më vonë ka pasur frikë që të kthehet në shtëpi, pasi familja e saj ka mundur ta martojë me një burrë shumë më të vjetër. Ajo ka pretenduar se familja e saj dëshiron të përfitojë nga fama e saj në Olimpiadë.

Këto detaje kanë dalë në pah para një gjykate në angleze më 2013, kur ajo është dënuar për përdorim të një pasaporte false, teksa ka tentuar të hyjë në Francë. Avokatët e saj kanë thënë se ajo do të kërkoj azil pasi të kryejë dënimin me burgim, meqë nuk e ka ditur mundësinë e aplikimit në mënyrë ligjore sa ka qenë në Olimpiadë.

Edhe atletë tjerë afrikanë janë zhdukur në Londër, në kohën sa kanë pasur viza gjashtëmujore, të siguruara për pjesëmarrje në Olimpiadë.

LAJME TË TJERA >>