Rusia shënon sot Ditën e Fitores, apo në atë që njihet si mposhtje e Gjermanisë naziste në vitin 1945. Trupa, tanke, raketa u shfaqen sot në Sheshin e Kuq të Moskës dhe në qytete të tjera të vendit, sipas BBC.
Nën udhëheqjen e presidentit rus, Vladimir Putin, kjo ditë është shndërruar në një shfaqje të fuqisë së ushtrisë ruse, si dhe në rast për të kujtuar sakrificat e Luftës së Dytë Botërore.
Por çfarë mungoi në fjalimin e Putinit, të ditës së fitores?
Në fjalimin e Putinit mungonte fjala Mariupol. Qyteti, me rëndësi të madhe strategjike për Rusinë, ka qënë në sulmin e vazhdueshëm të forcave ruse dhe është gjithashtu një simbol tjetër i rezistencës ukrainase kundër forcave pushtuese.
Beteja përfundimtare për qytetin po zhvillohet në fabrikën e madhe të çelikut Azovstal, ku ushtarët ukrainas janë të strehuar në tunele dhe bunkerë të nëndheshëm, të rrethuar nga trupat ruse.
Në një postim në Telegram, një këshilltar i kryebashkiakut të qytetit tha se forcat ruse kishin filluar të sulmonin fabrikën pas largimit të një kolone humanitare që transportonte civilët e mbetur nga vendi.
Të dielën, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp të transmetuar drejtpërdrejt nga një bunker, dy ushtarë u zotuan të vazhdonin të luftonin, duke thënë se nuk do të dorëzoheshin.
“Ne nuk kemi shanse të mëdha për të mbijetuar nëse na kapin,” tha njëri prej tyre. “Ne jemi në thelb njerëz të vdekur. Shumica prej nesh e dinë këtë. Kjo është arsyeja pse ne luftojmë pa frikë.”
Marrja në kontroll e Mariupolit do t’i lejonte Rusisë të krijonte një urë tokësore midis zonave lindore të Donetskut dhe Luhanskut, pjesë të të cilave kontrolloheshin nga separatistët e mbështetur nga Rusia përpara se të fillonte pushtimin me 24 shkurt, dhe gadishullit të Krimesë, të pushtuar dhe aneksuar nga Rusia në 2014.